Lëvizja Vetëvendosje për të tretën herë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit Hetimor ndaj SHIK-ut. Dy herët e para kjo kishte dështuar, për arsye që nuk kishin arritur 40 nënshkrime të deputetëve sa janë të nevojshme për formimin e një komisioni të tillë. Kësaj radhe kjo parti, së bashku me “Grupi i Deputetëve të Pavarur”, i posedojnë 31 nënshkrime, 9 më pak sa është e nevojshme. Zyrtarë të kësaj partie kanë akuzuar LDK-në e Isa Mustafës, për siç thanë ata hezitimin e deputetëve të kësaj partie për dhënien e nënshkrimeve dhe “hipokrizinë e tyre ndaj SHIK-ut, dhe përdorimin e kësaj teme vetëm në kohë zgjedhjesh”
Shërbimi Informativ i Kosovës, i njohur me shkurtesën SHIK, ishte formuar menjëherë pas përfundimit të luftës së vitit 1999. Kreu i kësaj organizate kishte qenë Kadri Veseli, tash kryeparlamentar dhe kryetar i PDK-së.
Aktiviteti i kësaj organizate kishte qenë deri në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Të bëmat e SHIK-ut, janë komentuar jashtzakonisht shumë, sidomos nga akterët politik në vend.
Madje, kjo organizatë ishte atakuar me akuza të rënda, për vrasjen e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këto akuza ndaj SHIK-ut dhe shefit të tij, Kadri Veseli, i kishte bërë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014, në një emision televiziv Mustafa e akuzon Veselin se i ka “duart e përlyera me gjak”.
Por, e kaluara e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe bëmat e tyre janë vlerësuar si kriminale edhe nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ata vazhdimisht Veselin e quanin kriminel dhe kërkonin nga gjyqësori vendor për hetimin ndaj tij dhe organizatës që ai e kishte drejtuar.
Ne mandatin e parë, kur partia e Kurtit, mori pjesë në institucione vendore, tentuan që ta formonin një Komision Hetimor ndaj SHIK-ut.
Kishte qenë ish-deputeti i kësaj partie, Florim Krasniqi, që kishte nisur mbledhjen e 40 nënshkrimeve të nevojshme për formimin e një Komisioni me qëllim “zbardhjen e krimeve të bëra nga SHIK-u i Kadri Veselit”, pati thënë Krasniqi. Por, që nuk kishte mundur të bëhej.
Partia e Albin Kurtit, nuk u ndal për ta bërë të mundur formimin e këtij komisioni.
Gjatë legjislaturës së vitit 2014-2017, kishte qenë vetë Albin Kurti, që kishte nisur për herë të dytë një iniciativë të tillë. Ai kishte arritur që t’i mbledh 38 nënshkrime, duke dështuar sërish formimi i një komisioni të tillë. Iniciativës së Kurtit, përveç deputetëve të Vetëvendosjes, ishin bashkuar deputetët e AAK-së dhe Nismës, të trija parti në atë kohë ishin në opozitë.
Por, pesë deputetë nga LDK-së, që ishte në koalicion me Partinë Demokratike, që tashmë udhëhiqet nga vetë Veseli, kishin dhënë nënshkrimet për formimin e këtij komisioni.
Tashmë Lëvizja Vetëvendosje ka filluar edhe një iniciativë për formimin e këtij Komisioni.
Gjatë kësaj legjislature ata përsëri kanë filluar për mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët e Kuvendit, që ta bëjnë të mundur formimin e Komisionit Hetimor.
Vetëvendosje, tashmë e ndarë në Kuvend, pas formimit të grupit të ri Parlamentar “Grupi i Deputetëve të Pavarur“, të dyja së bashku kanë mbledhur 31 nënshkrime për formimin e tij.
Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje dhe arsyet e tyre pse duhet të hetohet SHIK-u
Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, ka kritikuar Lidhjen Demokratike për “neglizhencë dhe mosëshirë për ta hetuar SHIK-un”.
E kontaktuar nga Insajderi, ajo ka treguar se kishte kërkuar shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti dhe nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, për mbështetje për këtë temë. Mirëpo, sipas saj ende nuk kanë marrë përgjigje.
Sipas saj edhe pa votat e LDK-së ekziston një mënyrë tjetër që të mund të formohej ky komision.
“Ne e kemi marrë nismën për formim të Komisionit hetimor për veprimtarinë e SHIK-ut. Unë i kam shkruar shefit të grupit parlamentar të LDK-së, kam kontaktuar edhe me nënkryetarin e Kuvendit, që vjen nga LDK, Kujtim Shala, por s’kemi pasur përgjigje. Po na duhen edhe 9 nënshkrime, tashmë i kemi 31 të tilla. Nëse s’do të mundemi ti marrim edhe këto nënshkrime, atëherë do e procedojmë në seancë të Kuvendit, se e lejon ligji dhe pastaj do hidhet në votim, si rezolutë dhe nëse kalon do të mund të formohet ky komision”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu shkon më tutje, i quan “hipokritë zyrtarët e LDK”. Thotë se “vrasjet e pasluftës dhe çështjet e SHIK-ut po i përdorin vetëm gjatë fushatës zgjedhore“
“Është e papranueshme hiprokrizia e LDK-së në këtë pikë. Në vazhdimësi në çështje të tillë, për faktin se në njërën anë akuzon SHIK-un për vrasje kriminale, të aktivistëve të tyre, e në anën tjetër nuk jep nënshkrimet për hetimin e kësaj organizate kriminale. LDK këtë çështje po e shfrytëzon vetëm në fushata zgjedhore“, ka thënë Haxhiu.
Por, Haxhiu e pranon që ende nuk kanë kontaktuar me zyrtarë të AAK-së dhe Nisma-s, për t’ua kërkuar nënshkrimet deputetëve të këtyre partive.
Këtë e ka konfirmuar, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj.
Ai për Insajderi ka thënë se do e nënshkruajë formimin e Komisionit Hetimor për SHIK-un, ve nëse së bashku me këtë komision do të hetohen edhe të bërat e UDB-ës.
“Ende nuk kemi marrur asnjë kërkesë për ta formuar Komisionin Hetimor për SHIK-un. Do e nënshkruaj formimin e këtij komisioni nëse ky komision do të hetojë edhe UDB-ën, do të thotë paralelisht do e votojë. Ndaras, jo. Nuk mund të hetohet SHIK-u, pa u hetuar UDB-a”, ka thënë Selmanaj.
Se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kërkuar nga Nisma Socialdemokrate për ta ndihmuar për këtë çështje e ka thënë deputeti i kësaj partie, Haxhi Shala.
Ai për Insajderi, ka thënë se në momentin kur do e pranojnë një kërkesë të tillë, do e shqyrtojnë dhe do të marrin vendim.
“Asnjë kërkesë ne si Nismë nuk kemi marrur. Këto janë vetëm fjalë nëpër media, se nuk ka pasur asnjë iniciativë. Çështje si këto ne konsultohemi si parti dhe pastaj e marrim qëndrimin. Tash për tash nuk kemi asnjë kërkesë dhe rrjedhimisht asnjë qëndrim”, ka thënë Shala.
Labinot Tahiri nga AKR, ka thënë për Insajderi se SHIK-u nuk ka bërë krime në Kosovë, ashtu siç pretendojnë disa parti politike. Por vendimin e tij për nënshkrimin e kësaj iniciative do e jap pas konsultimeve me bashkpartiakët e tij.
“Unë nuk mendoj që SHIK-u ka bërë krime në Kosovë, ose që ka punuar kundër Kosovës. Vendimi im për nënshkrimin apo jo të iniciativës për formimin e Komisionit Hetues do të merret pas konsultimeve me bashkpartiakët e mi. Por, them që nëse shumica e deputetëve janë pro formimit të këtij Komisioni, atëherë edhe unë do e bëj një gjë të tillë“, ka thënë Tahiri./Insajderi.com