Princ Dobroshi i cili ishte apostrofuan nga Besarta Kastrati – Harxhi, i ka mohuar pretendimet e saj për lidhjet e tij me hetuesin Ragip Bytyqi dhe Arian Llukën.
Besarta tregon se ka marrë kërcënime në burg nëpërmjet të dënuarës, Ardiana Gorani.
“Në 2017 po më përmendet Princ Dobroshi prej Ardiana Goranit. Po me çon selam në burg. Pse po më çon selam? Pse po më përshëndet? Në korridor Ardiana Gorani më ka thënë se i kallxoj Princ Dobroshit çka je tu bo ti. Princ Dobroshi nanën ty ta rrotullon”, shton ajo.
Por, i përmenduri nga Besarta Kastrati, Princ Dobroshi, ka mohuar se e ka kërcënuar atë ndonjëherë. Dobroshi thotë se nuk i njeh asnjërin prej këtyre njerëzve të përmendur.
“Unë nuk i njoh këta njerëz. Nuk e njoh as këtë Besartën që është e dënuar për vrasje e as atë Ardianën që përmendet. Nuk kam asnjë lidhje me ta, as nuk kam kurrfarë njohurie. Këta janë kalamaj që nuk i njoh as nuk di çka kanë bërë apo çfarë bëjnë”, ka thënë Dobroshi për Insajderin.
Besarta, vajza e Salih Kastratit që ka zbuluar shumë prej këtyre krimeve, është e dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Fidan Shabit.
Ajo e mohon ta ketë kryer këtë krim, duke thënë se vrasjen e ka kryer Arian Lluka. E akuzon policin Ragip Bytyçi që qëndron prapa krimeve në Pejë dhe montimit të rastit të saj.
Ndërkohë, Ragip Bytyqi, Besarta Kastrati – Harxhi, vëllai i saj Kastriot Kastrati, Arian Lluka, Jusuf Idizaj, Elton Arifaj dhe Xhemë Gashi janë nën hetime për vjedhjen e 25 kilogramëve ari në dhomën e dëshmive në Policinë e Pejës në vitin 2012.
Gjashtë vjet pas vjedhjes së një sasie të madhe të arit në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Pejës, Prokuroria po heton gjashtë persona.
Dy zyrtarë policorë, vajza dhe djali i Salih Kastratit dhe dy persona tjerë dyshohen se qëndrojnë prapa kësaj vjedhjeje.
Por, burime nga Inspektorati Policor i kanë thënë Insajderit se në Dhomën e Dëshmive janë shkatërruar prova të më shumë se 200 krimeve të rënda, kryesisht vrasje në rajonin e Pejës./Insajderi.com