Thaçi: Kosova nuk është myslimane, kosovarët duhet të jenë “më katolikë se Papa”

Thaçi: Kosova nuk është myslimane, kosovarët duhet të jenë “më katolikë se Papa”

Për të siguruar rrugën evropiane, kosovarët duhet të jenë “më katolikë se Papa”. Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një letre të shkruar në portalin austriak Euractiv.

Ish-kryetari i PDK-së thotë se ndjehet i lehtësuar nga rezultat e zgjedhjeve presidenciale në Austri, derisa thekson rëndësinë që rruga evropiane ka për kosovarët. Madje, presidenti kosovar thotë që për të arritur ëndrrën evropiane, kosovarët duhet të jenë “më katolik se Papa”.

“Ne duhet të jemi – siç është thënia – “më katolik se Papa” në mënyrë që t’i bindim mohuesit dhe skeptikët që ëndrra evropiane, rruga evropiane, është mundësia jonë e vetme, kontrata më e mirë që mund ta nënshkruajmë për të siguruar të ardhmen tonë”, ka thënë Thaçi, citon Euractiv.

Thaçi në shkrimin e tij po ashtu ka trajtuar edhe çështjen e pjesëmarrjes së kosovarëve në ISIS duke thënë se Kosova nuk është strehë e sigurt për ekstremistët. Në shkrimin e tij, presidenti i Kosovës ka thënë se Kosova nuk është myslimane po një shoqëri qytetarë sekulare, raporton Insajderi.

“Ne as nuk jemi një strehë e sigurt për ekstremistët. Shërbimet tona të sigurisë kanë bërë 110 arrestime dhe kanë siguruar 67 aktakuza dhe 26 dënime kundër mbështetësve të ISIS-it në vendin tonë. Sekretari amerikan, John Kerry, theksoi në vizitën e tij të fundit në Kosovë se kosovarët janë liderë regjional në luftën kundër ekstremizmit”, është shprehur Thaçi për portalin austriak.

Shefi i shtetit në këtë shkrim ka përmendur edhe skepticizmin e Evropës karshi Ballkanit dhe Kosovës. /Insajderi.com