
Në fillim të javës së ardhshme kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të raportojë në Kuvendin e Kosovës për arritjen e marrëveshjes për “normalizimin ekonomik” me Serbinë në Uashington, njofton Insajderi.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci thotë për KosovaPress se ndonëse është vonë për raportim, kanë dorëzuar kërkesën që Hoti të paraqitet para deputetëve për të arsyetuar marrëveshjen e Uashingtonit. Derisa adresoi kritika edhe për partinë tjetër opozitare, PDK, që sipas tyre po e luajnë rolin e opozitës.
“Tashmë është vonë për raportim, kryeministri i vendit do të duhej paraprakisht të kishte një unitet duke arritur, jo vetëm të informojë për platformën e objektivat e vet, por të marrë një përgjegjësi të plotë që mos të vijmë në një situatë të cilën jemi aktualisht që ngjanë si një bombë e kurdisur… dje kam dërguar në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kërkesën që të shqyrtohet në kryesi dhe të ftohet në raportim kryeministri, pash nga mediat që ka pasur iniciativa edhe nga grupet tjera. Është për të ardhur keq që PDK-ja që është pseudo opozitë faktikisht, pas përfundimit të situatave si kjo kur kemi një nënshkrim të marrëveshjes duket që dëshirojnë të luajnë rolin e opozitës. Derisa në asnjë moment nuk e kanë pasur gatishmërinë të përkrahin iniciativat tona”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi thotë se janë duke mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për të raportuar kryeministri Hoti. Pasi sipas tij i njëjti ka devijuar nga qëllimet kryesore të dialogut me Serbinë.
“Jemi aktualisht në fazën e mbledhjeve të nënshkrimeve dhe konsultimeve me partitë tjera politike. Ne besojmë që në këtë fazë është e rëndësishme të sqarohet nga kryeministri se pse ka devijuar nga qëllimet kryesore që ka qenë marrëveshja finale ku njohja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jetë e pashmangshme dhe kuptohet ulësja në OKB”, thotë ai.
E monitoruesi i punës së Kuvendit, Allen Meta nga “D4D” e sheh të pamundshme mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme gjatë kësaj jave.
“Përderisa nuk mund të ketë një bashkëpunim real mes LVV-së dhe PDK-së duke pasur parasysh se secila në mënyrën e vet dëshiron të marrë përsipër që të jetë e para për thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme. Ne besojmë që për seancë të jashtëzakonshme ka nevojë për bashkëpunim të këtyre dy partive opozitare për momentin. Ndërkaq, duke pasur parasysh që Kuvendi është në pushim besojmë që data më e përafërt është kur kthehen prej pushimit gjithë kuvendi”, thotë Meta. /Insajderi.com