​Komisioni për Punë të Jashtme mblidhet urgjentisht për Projektligjin për Dialogun

​Komisioni për Punë të Jashtme mblidhet urgjentisht për Projektligjin për Dialogun

Komisioni për Punë të Jashtme, është mbledhur në një mbledhje urgjente ku po trajtohet Projektligji për Dialogun. Ky veprim është bërë me inicimin e nënkryetares së komisionit, Time Kadrijaj e cila ka mbledhur gjashtë nënshkrime të deputetëve.

Për këtë arsye ka reaguar kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se pozita ka dashur ta mbajë këtë mbledhje pa opozitën. Osmani ka shtuar se paraprakisht në mbledhjen e kaluar ishin dakorduar që mbledhja të mbahej të hënën e ardhshme.

Për këtë ka reaguar deputeti i PDK-së Elmi Reçica. Ka thënë se ai ka kërkuar edhe në mbledhjen e kaluar që ligji për dialogun të trajtohet gjatë pauzave të seancës plenare.

Ndërsa deputeti i PSD-së Dukagjin Gorani, ka thënë se në mbledhjen e kaluar projektligji nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për tu trajtuar. Ndërsa në konsultim me zyrën ligjore ka kuptuar që sot është përmbushur afati ligjor, dhe se PSD është e interesuar që ky ligj të kalojë sa më shpejtë që është e mundur.

Ndërsa sa i përket përmbajtjes së projektligjit, kryetarja e komisioni Vjosa Osmani ka thënë se ky projektligj nuk ka pozicion ndaj dialogut të deri tashëm për këto 6-7 vite.

“Nuk ka pozicionim të qartë në gjëra të rëndësishme siç është integritetit territorial”.

“Projektligji legalizon jo vetëm rolin e presidentit por edhe negociatat e fshehta që ai ka bërë deri më tani”.

Ndërsa deputetja tjetër e LDK, Doruntinë Maloku ka thënë se ky projektligj është anti-kushtetues, raporton Gazeta Express.

Ndërsa deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka thënë se duke e zvarritur punën e ligjit po rrezikohet që vendimet të merren jashtë kuvendit dhe deputetëve.

Ai është përplasur me deputeten e LDK-së Doruntina Maloku, duke i thënë që nuk është korrekte që një dokument të quhet jo kushtetues. Ai i ka akuzuar LDK-në se po i ikin përgjegjësisë që duhet ta marrin.