​Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë protesta të përshkallëzuara

​Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë protesta të përshkallëzuara

Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë të Kosovës kanë protestuar, pasi që kërkesat e tyre nuk u plotësuan nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë, Fitim Havolli, ka bërë thirrje që sa më shpejtë të plotësohen kërkesat e tyre, për rritjen e koeficientit prej 3.2.

“Kërkesat tona janë, konficienti 3.2 sa më shpejtë në tavolinë për të kthyer dinjitetin e këtyre njerëzve që mos t’i japim mundësi që këta të mendojnë që të ikin për një jetë më të mirë sepse për Kosovën do të jetë tepër vonë në qoftë se ky komunitet aq i kërkuar në botë të na ikë nga vendi për shkak të një gjendje ekonomike sociale, që mundemi me vullnet të mirë, me bashkëpunim me e realizua”, tha Havolli.

Ai ka deklaruar se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre do të ketë protesta të përshkallëzuara.

“Kërkesat tona janë shumë serioze, janë të përballueshme për Republikën e Kosovës, pavarësisht dëmeve që i ka shkaktuar dëmeve të ekonomisë së Kosovës, ne duke ju falënderuar ekspertëve sindikal që i kemi, qoftë ekonomist dhe jurist e kemi kalkuluar që është e përballueshme dhe ata nuk kanë çfarë të presin më. Të bëhen protesta siç i kemi lajmëruar në bazë të kryesisë dhe vendimit të fundit të përshkallëzuar sepse do të jetë tepër vonë, dhe unë nuk kisha dashur që në këto raste të pësojë pacienti, sepse pacienti, familjari dhe qytetarët tonë do të jenë në fokus të veçantë”, ka thënë Havolli.

Havolli ka thënë se infermierët, mamitë dhe profesionistë të tjerë kanë qenë çdoherë në front dhe nuk janë tërhequr asnjëherë nga shërbimi qytetarëve, pavarësisht rrezikut që i është kanosur këtyre dhe familjeve të tyre. /Insajderi.com