Nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është mbajtur akademia përkujtimore për dëshmorin Shaban Polluzha në 75 vjetorin e rënies ku edhe u nderua me çmimin hero i Kosovës nga presidenti për sakrificën dhe luftën e çlirimit të kombit shqiptar.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kujtoi luftën dhe sakrificën e madhe të Shaban Polluzhës duke e nderuar me epitetet më të larta.
Thaçi tha se emri i heroit Shaban Polluzha do të mbetet gjithmonë në zemrat tona, pasi ishte frymëzues për brezat e tërë për luftë dhe për rezistencë ndër breza deri në çlirim.
“Edhe komandanti Shaban Polluzha u ndalua zyrtarisht, emri i tij së përmenduri, por asnjëherë nga mendjet e ngritura dhe zemrat e pastërta atdhetare në Drenicë, në Kosovë e në të gjithë kombin….Shaban Polluzha sot zë vendin e gjurmë në historinë moderne të Kosovës, në historinë moderne të kombit…u bë frymëzues për breza të tërë që u angazhua për liri dhe pavarësi të Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Ai shtoi se pa luftën e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarëve tjerë nuk do të ndodhnin lëvizjet e më vonshme kombëtare.
“Pa luftën e Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës dhe të gjithë bashkëluftëtareve të tjerë, nuk do të organizoheshin as rezistencat e tjera të lëvizjes kombëtare të Kosovës, demonstratat e vitit 68, 81 për republikë dhe pavarësi, e as grevat e minatorëve, e nuk do të ndodhte as ky progres i Kosovës, nuk do të lindte as UÇK-ja dhe as nuk do të ndodhte liria e pavarësia e Kosovës dhe me u hap mundësia e bashkim it kombëtar”, tha Thaçi.
Në emër të familjes Polluzha foli Zahir Kastrati, nip i Shaban Polluzhës, i cili tha së në këtë 75 vjetor të rënies kujtojmë heronjtë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica që flijuan çdo gjë që të realizohet gjithçka nga amaneti i të tërëve, deri në krijimin e UÇK-së.
Kryetari i komunës së Drenas, Ramiz Lladrovci e nderoi lart figurën e Polluzhës dhe se premtoi që vitin e ardhshëm figurën e tij ta shkrijë në bust.
“Ka kohë që ne kemi marrë një vendim në konsull të presidentin, bashkë me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin që në shenjë respekti dhe kujtimi për të gjithë bashkëluftëtarët e Shaban Polluzhës do ta derdhim në bronz vitin e ardhshëm figurën e Shaban Polluzhë në cep tek komunës e vjetër”, deklaroi Lladrovci.
Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës vritet Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa sot Shaban Polluzha nderohet me titullin hero i Kosovës në nder të 75 vjetorit të rënies së tij.