​A mund të mbahen zgjedhjet e reja pa kompletimin e anëtarëve të KQZ-së?

​A mund të mbahen zgjedhjet e reja pa kompletimin e anëtarëve të KQZ-së?

Dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe insistimi i tij për zgjedhje të jashtëzakonshme e ka gjetur Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) të pakompletuar në përbërje. Aty mungojnë dy anëtarë të koalicionit PAN që e përbëjnë tri partitë PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.

Të tri partitë insistojnë se i’u takon nga një anëtar në KQZ-në dhe thonë se mungesa e anëtarëve të tyre do t’i humbte legjitimitetin këtij komisioni.

Por, ndryshe mendojnë njohësit e Kushtetutës dhe monitoruesit e KQZ-së, të cilët shprehen se edhe pa këta dy anëtarë, KQZ-ja do të ishte funksionale të shpallte zgjedhjet dhe t’i certifikonte ato.

Krejt kjo mjegulli ka ardhur për shkak të ankimit në Gjykatën Kushtetuese të partive në pushtet mbi kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, ku dy partive opozitare, LDK-së dhe VV-së  iu takojnë nga dy anëtarë dhe koalicionit PAN dy anëtarë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi për KP shprehet optimist se Gjykata Kushtetuese do të kthej përgjigje në favor të koalicionit PAN dhe gjitha grupet parlamentare të kenë nga një anëtarë në këtë trup.

Isufi nuk e mohoi që presidenti Thaçi mund të përdorë këtë si një pretekst për të zvarritur zgjedhjet e reja.

“Ne për atë e kemi bërë ankesën që gjitha grupeve parlamentare t’iu mundësohet përfaqësimi me nga një anëtarë. Prandaj nuk kalkulojmë në forma tjera. Gjykata Kushtetuese duhet të marr një vendim të kësaj çështje, për këtë arsye KQZ-ja duhet të jetë e plotë me gjitha grupet parlamentare sipas ligjit dhe zgjedhjet të mbahet në afatit të përcaktuar me Kushtetutë”, thotë Isufi.

Se KQZ-ja duhet të kompletohet e thotë dhe ish anëtari i PDK-së dhe propozuesi për përbërjen e re, lir Gashi. Duke përmendur vendimin që mund të merr Gjykata Kushtetuese, ai u shpreh se përfaqësimi i partisë së tij është i pashmangshëm në KQZ-së, pavarësisht vendimit që mund të merret, sepse siç thotë ai, pa PDK-në, KQZ-ja nuk mund të ketë legjitimitet.

Anëtarët e Nisma-s nuk kanë qenë të qasshëm për t’ u deklaruar për këtë çështje.

Ndërkaq, nga monitoruesit e KQZ-së shprehen se kompletimi i KQZ-së është i rëndësishëm, por i jo i domosdoshëm që do të bllokonte procesin zgjedhor.

Hulumtuesi në KDI, Eugen Cakolli thotë se mos-kompletimi i përbërjes së KQZ-së është një indikator i jo mirë, por sipas tij, nuk e pengon procesin zgjedhor pasi ka kuorumin e nevojshëm për shpallje të zgjedhjeve dhe certifikim të tyre.

Ai i bënë thirrje Gjykatës Kushtetuese që brenda afateve kohore të kthej përgjigje mbi kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

“ Fakti që Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e ka të kompletuar përbërjen e tij dhe me dy anëtarë nga koalicioni PAN siç do të duhej të ishte është një indikator jo i mirë për vet punën e KQZ-së. Ndërsa sa i përket aspektit zgjedhor në përgjithësi zgjedhjet mund të mbahen dhe në rast se KQZ-ja mbetet me kompozicionin aktual që ka. Duke qenë që ka kuorumin e nevojshëm dhe për shpalljen e zgjedhjeve, certifikimin e rezultateve dhe të ngjashme. Shembull për këtë kishim dhe zgjedhjet në veri ku me këtë përbërje u organizuan zgjedhjet. Por mbetet problem tek çështja e integritetit të zgjedhjeve dhe gjithë përfshirjes së subjekteve politike që do të duhej të kishin mandat te KQZ-ja” thotë hulumtuesi Cakolli.

Të njëjtin mendim e ndan dhe njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, i cili  thotë se pavarësisht se KQZ-ja ka mungesë të dy anëtarëve, kjo nuk e pengon atë që të merr vendime, pasi e ka numrin e nevojshëm të kuorumit.

“KQZ-ja i ka mungesë dy anëtarë të cilët do të duhej të delegoheshin, por që ka dilema në presidencë dhe të kompletohet struktura e tij. Por dhe pa këta dy anëtarë, ani që jo plotësisht funksionale…meqenëse e ka kuorumin e ka mundësinë që të marrë vendime. Vendimet merren me shumicë sepse parimi i parë është konsensusi”, deklaron Baraliu.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi mbi një vit nuk pati dekretuar anëtarët e KQZ-së pikërisht për këto dallime, duke e dërguar edhe pyetje në Kushtetuese, dhe tek pas përgjigjes ato u ndanë në bazë të grupeve parlamentare.