​Gucati e Haradinaj sërish deklarohen të pafajshëm

​Gucati e Haradinaj sërish deklarohen të pafajshëm

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë deklaruar sërish të pafajshëm para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në seancën e parë pas nisjes së gjykimit ndaj tyre, prokurori ka lexuar aktakuzën e plotë, ndërsa më pas kryetari i trupit gjykues, Judge Charles L. Smith, i ka pyetur ata nëse e mbrojnë deklaratën e parë për vetdeklarimin e pafajësisë.

Kryetari i trupit gjykues më pas i njoftoi Gucatin dhe Haradinajn lidhur me të drejtat e tyre gjatë procesit gjyqësor, si dhe i paralajmëroi se mund të përjashtohen nga gjykimi në rast se nuk sillen mirë.

“Nëse ju nuk silleni mirë pas një paralajmërimi të dhënë, një sjellje e tij mund të rezultojë me largimin tuaj nga salla. Nëse kjo ndodhë, atëherë ju do të përfaqësoheni nga avokatët”, tha kryetari i trupit gjykues.

Të enjten ka nisur gjykimi i dytë në DHSK në Hagë – ai kundër ish-krerëve të OVL-UÇK’së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. /Insajderi.com