​Haradinaj: Ideja për shkëmbim territoresh ka vdekur

​Haradinaj: Ideja për shkëmbim territoresh ka vdekur

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ideja për shkëmbim apo ndarje të territoreve ka vdekur, dhe për këtë ai ka shprehur edhe ngushëllimet e tij, me ç’rast ka kërkuar që rezoluta e propozuar nga partitë opozitare të votohet në Kuvend.

Këto komente ai i bëri pas ceremonisë së dekorimit me Hartën e Artë të Kosovës për shkrimtaren Helena Kadare, të cilës i shprehu falënderime për kontributin e dhënë për letërsinë dhe njohjen e shqiptarëve në botë.

Sipas tij kjo rezolutë i obligon të gjithë, përfshirë edhe presidentin.

Kreu i ekzekutivit ka kërkuar që mos të nxiten veprime, të cilat mund t’i dëmtojnë tema të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Duke i dërguar ‘selame’ kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri që të merret me qeverisjen lokale, Haradinaj tha se mos të mundohen të hyjnë në politikën e madhe.

Haradinaj tha se eurodeputeti David McAllister nuk i ka përmendur propozimin që ky i fundit i ka bërë kancelares Angela Merkel, ndërsa u shpreh optimist se deri në fund të vitit qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen.