​Hoti: Nuk është relevante si betohen në Beograd, dialogu vetëm për njohje reciproke

​Hoti: Nuk është relevante si betohen në Beograd, dialogu vetëm për njohje reciproke

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, po e konsideron jo relevante për vendin mënyrën si betohet Qeveria serbe, pavarësisht se aty përmendet ruajta siç e vlerëson ekzekutivi serb i Kosovës.

Pavarësisht këtyre deklaratave, Hoti tha se me shtetin fqinj do të ketë dialog vetëm për njohje reciproke.

Ai tutje shtoi se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese për rastin e votimit të qeverisë të deputetit tashmë të arrestuar, Etem Arifi.

“Kosova se 20 vjet është e pavarur, çka thonë dhe si betohen në Beograd është totalisht jo relevante për shtetin e Kosovës… Dialogu bëhet vetëm për njohje reciproke, ndërkohë sot që po flasim është një takim në Bruksel për të adresuar elemente specifike të marrëveshjes finale. Pikë e parë është njohja reciproke”, tha Hoti.

I pyetur mbi pretendimet e LVV-së se gjatë këtyre ditëve Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të tyre mbi ankimimin e zgjedhjes së qeverisë, Hoti tha se e çfarëdo vendimi të Kushtetueses do ta pranojnë.

“Është çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të komentoj ato. Çfarëdo vendimi që ka dalë nga Gjykata Kushtetuese gjithmonë e kemi pranuar, pa e komentuar asnjëherë”, tha ai.

Këto deklarata kryeministri Hoti i bëri gjatë vizitës në Badoc, prej nga tha se janë duke u bërë përgatitje që në këtë liqen të sillet uji nga Ujmani.

“Ky ujë është shumë i rëndësishëm edhe për sigurinë e furnizimit dhe rëndësisë strategjike që ka. Ndërlidhjen e pellgjeve ujore të Kosovës, u kam kërkuar dy kompanive që tash e tutje të kujdesen të ndërmarrin gjitha veprimet e nevojshme që ky kanal të jetë plotësisht funksional gjatë gjithë kohës për të mbushur Badocin këtu dhe siguruar integrimin e plotë të gjitha sistemeve të pellgjeve në nivel vendi”, tha ai. /Insajderi.com