​Komisioni për Integrime Evropiane miraton tri projektligjet për FSK-në

​Komisioni për Integrime Evropiane miraton tri projektligjet për FSK-në

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar tri projektligjet për FSK-në me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Ky projektligj shumë shpejt pritet të dërgohet në Kryesinë e Kuvendit, për ta caktuar seancën ku do të votohet formimi i Ushtrisë, shkruan Insajderi.

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot, e në rend dite është edhe Projektligji për FSK-në.

Në rendin e ditës janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2, 7 dhe 23 nëntor, në mesin e të cilave janë votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës, atij për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare,  votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun me Serbinë, etj.

Po ashtu, pikë e rendit të ditës do të jenë pikat e papërfunduara nga seanca e 23 nëntorit, në mesin e të cilave janë interpelanca e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të caktojë edhe datën e seancës së re plenare, ku do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Kosovës për 2019, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës etj. /Insajderi.com