​Komuna e Prishtinës punëson 10 persona me nevoja të veçanta

​Komuna e Prishtinës punëson 10 persona me nevoja të veçanta

Ka filluar sot fushata ndërkombëtare “Tetori – muaji i mundësive të barabarta profesionale për personat me aftësi të kufizuara” me ç’rast komuna e Prishtinës ka organizuar një aktivitet me persona të kësaj kategorie.

Nënkryetari i komunës Muhedin Nushi, ka njoftuar se këtë vit komuna do të punësojë 10 persona.

Ai bëri thirrje personave me nevoja të veçanta të aplikojnë në pozita që shpallen e për të cilat ata ndihen kompetent

Megjithatë, Nushi tha se ekzistojnë dy ligje në fuqi të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën e që po shkaktojnë paqartësi.

“Njëri ligj thotë se për çdo 50 të punësuar, një duhet të jetë me aftësi të kufizuara. Ligji tjetër e ndalon këtë”, tha Nushi.

Nënkryetari tha se nuk ka nevojë për favorizime, por thjesht t’u ofrohet mundësi e barabartë për punësim të gjithë njerëzve, pavarësisht dallimeve.