​Marrëveshjet me Serbinë jotransparente, ende nuk dihet përmbajtja e tyre

​Marrëveshjet me Serbinë jotransparente, ende nuk dihet përmbajtja e tyre

Dy marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë për autostrada dhe hekurudha po cilësohen si jotransparente.

Përkundër se në letrat e interesit, dy palët të premten e javës së kaluar në Munih të Gjermanisë, kanë hedhur nënshkrimet për të shprehur gatishmërinë e tyre për hapjen e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e rrugëve të reja, ende nuk dihet saktë për përmbajtjen e tyre. Derisa për të dhënë sqarimet mbi këto marrëveshje ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka qenë i paqasshëm për KosovaPress.

Analisti politik Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se kryeministri, Albin Kurti duhet të kërkoi llogari nga dy zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës që e nënshkruan marrëveshjet. Sipas tij, është skandal në veti që Qeveria e re mos me qenë në dijeni për këto dy marrëveshje me Serbinë.

“Fillimisht ne nuk e kemi ditur as që është diku u negociuar për këto marrëveshje, as për marrëveshjen e linjës ajrore e njëkohësisht e as për këto dy marrëveshje të reja. Pra një proces që ka qenë jotransparent sepse nuk e kemi ditur kush po negocion dhe me autorizimin e kujt po negociojnë… tashmë zotëri Kurti është udhëheqës i qeverisë, kryeministri i vendit, në mënyrë indirekte mundet me kërku llogari nga ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku që me kërku llogari nga zyrtarët që kanë nënshkruar këto marrëveshje. Përnjëmend është e paprecedent dy zyrtarë të një ministrie me nënshkru marrëveshje në emër të Kosovës e në ato marrëveshje mos me qenë në dijeni as qeveria e as ministrat. Nëse kështu ka qenë e vërteta, atëherë është skandal i llojit të vet”, thotë ai

Por krahas saj, Demhasaj thotë se çdo hapje e linjës së hekurudhës d he autostradave që lidhen me secilin vend fqinjë i kontribuon zhvillimit ekonomik.

“Duke mos pa përmbajtjen dhe dokumentin origjinal të këtyre marrëveshje është problem me analizu se a janë të mira, apo të këqija për Kosovën këto marrëveshje. Pasi akoma nuk janë publikuar. Por në parim çdo hapje e linjës së hekurudhës dhe autostradave që lidhen me secilin vend fqinjë i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit dhe të gjitha tjerave. Çdo investim që bëhet në përmirësimin e hekurudhave, rrugëve dhe gjithçka tjetër shkon në zhvillimin ekonomik”, u shpreh Demhasaj.

Fjalë të mira për këto marrëveshje, ka njohësi i rrethanave politike, Faton Abdullahu, i cili thotë kjo marrëveshje tashmë ekziston dhe duhet të vazhdohet më tutje.

“Marrëveshja ekziston është mirë që është nënshkruar duhet të vazhdojnë që të jetë transparente me shumë që të involvohet qeveria më shumë. Të mos fajësojë qeveritë e kaluara. Të koordinohen partnerët ndërmjet veti që të ndihmojnë më në fund procesin për të përshpejtuar çdo gjë. Të mos ngecet, por të ndihmojmë ShBA-të, Aleancës euro-atlantike për t’i përshpejtuar punët në shumë sfera e sidomos në raport me Serbinë”, thotë ai.

Për palën kosovare letrat e interesit, përkatësisht marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Këto marrëveshje, por edhe ajo për linjën ajro re, janë bërë me ndërmjetësimin e dërguarit të posaçëm të presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell.