​Opozita me akuza ndaj Hotit për suspendim të shtetësinë dhe heqje dorë nga politika e jashtme

​Opozita me akuza ndaj Hotit për suspendim të shtetësinë dhe heqje dorë nga politika e jashtme

Kohëzgjatja prej një viti për mosaplikim të Kosovës në organizata ndërkombëtare po konsiderohet si suspendim i shtetit në këtë periudhë, derisa dy partitë opozitare në vend, po thonë se ky vendim është i dëmshëm, pasi Kosova po heq dorë nga politika e jashtme, njofton Insajderi.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mënyrë të vullnetshme ka hequr dorë nga njohja e vendit.

Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, thotë se ky veprim është i dëmshëm për vendin.

“Moratoriumi është suspendim i shtetësisë për një vit. Efektivisht çka ka thënë Kosova përmes kësaj marrëveshje është se për një vit shtetësia ime dhe elemente përbërëse të shtetësisë sime janë të pamjaftueshme që organizatat të pranojnë si palë të barabartë. Është suspendim i shtetësie dhe mos njohje ndaj vetës në mënyrë të vullnetshme. Atëherë si mund të ketë mundësi që një subjekt tjetër në të ardhmen mund të njeh Kosovës”, thotë ai për KP.

Edhe nga subjekti tjetër politik opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, thonë se ky është një veprim i palogjikshëm i kryeministrit Hoti.

“Është shumë e dëmshme, pasi për neve është e paqartë pse Kosova ka hequr dorë nga politika e jashtme. Cila është arsyeja, për neve është e palogjikshme pse kryeministri i një vendi të hekë dorë nga politika e jashtme sidomos kur është çështja e njohjes edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, thotë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi. /Insajderi.com