​Peleti më i rrezikshëm se thëngjilli, sidomos nëse është nga Serbia

​Peleti më i rrezikshëm se thëngjilli, sidomos nëse është nga Serbia

Ishte menduar si zgjidhje më e mirë sesa thëngjilli, por ‘peleti’ del se mund të jetë më i rrezikshëm.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me peletin që importohet në vend.

E dyshimet shtohen kur ky produkt vjen nga Serbia.Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, ka shprehur dyshime se peleti i importuar mund të ketë edhe përbërje të dëmshme, sidomos ai që vjen nga shgteti fqinj.

Kjo për faktin se kjo lëndë djegëse, përmban gomë dhe thëngjill.Në një deklaratë për KosovaPress, Matoshi ka thënë se nevojitet mobilizimi i institucioneve përkatëse në mënyrë që të kontrollohet cilësia e kësaj lënde djegëse.

Edhe kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, thotë se peleti mund të jetë një nga shkaktarët e ndotjes së ajrit në vend.

Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se janë duke hetuar peletin, por se thotë se kjo më shumë bie në përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë.KosovaPress është interesuar të marr përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me atë se çfarë rreziku paraqet peleti i përzier me gomë apo thëngjill për shëndetin e qytetarëve.

Por drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, ka thënë se deri më tash nuk kanë kryer analiza rreth kësaj çështjeje.“Instituti Kombëtar nuk ka kryer analiza rreth çështjes në fjalë, lidhur me këtë ju duhet të kontaktoni zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e tij.Ndryshe, KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe kryeinspektorin e Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Aktualisht një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ngrohen me këtë lëndë djegëse dhe çmimi për një ton pelet fillon nga 189 euro deri në 218 euro.