​Personat e dënuar në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë as në zgjedhjet lokale

​Personat e dënuar në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë as në zgjedhjet lokale

Të gjithë personat që kanë dënime të plotfuqishme në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë për kryetar komune dhe asamble në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, norma e vendosur në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit do të përcjellët edhe në zgjedhjet lokale.

Rrjedhimisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i largojë nga lista ata që mëtojnë për t’u zgjedhur nga qytetarët, por që kanë dënime përfundimtare nga gjykata në tri vitet e fundit.

Përkitazi me këtë, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani në një intervistë për KosovaPress ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, përkatësisht nenit 29, pikës “q” që t’iu mundësohet personave me dënim me kusht, gjobë dhe vërejtje gjyqësore të kandidohen në zgjedhjet lokale.

Sipas tij, për të qenë në koherencë dhe përputhje me pasojat juridike të Kodin Penal, duhet të qartësohet dispozita ku thotë se “kushdo që ka qenë i shpallur fajtor në tri vitet e fundit” të ndryshohet dhe të thuhet se “kushdo që ka qenë i shpallur me vendim efektiv burgu”.

Në të kundërtën, Hasani ka theksuar se në bazë të vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese do të largohen nga lista gjithë ata që janë shpallur fajtorë në tri vitet e fundit për çfarëdo vepre penale.

Megjithatë, Hasani vazhdon ta kundërshtojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese pasi thotë se e drejta për të mos u kandiduar në zgjedhje merret vetëm me vendim gjyqësor.

“Për t’i mohuar dikujt të drejtën aktive dhe pasive në zgjedhje, veçmas për t’u kandiduar duhet t’i merret vetëm me vendim gjyqësor, pasi kështu e thotë neni 45 i Kushtetutës dhe nuk mundët mbivaloj asnjë normë i Gjykatës Kushtetuese në raport me Kushtetutën”, pohon ai.

Duke u bazuar në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, kryeministrit aktual, Albin Kurti iu pamundësua të jetë kandidat për deputet, pasi kishte dënim me kusht në tri vitet e fundit, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016./Insajderi.com