​Shala: Pezullimi nuk nënkupton ndalim të lobimit për njohje të shtetësisë

​Shala: Pezullimi nuk nënkupton ndalim të lobimit për njohje të shtetësisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, Endrit Shala, ka thënë se pezullimi një-vjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk nënkupton që duhet të ndalohet lobimi për të kërkuar njohje të shtetit, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, ku tha se si Nismë – marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, e shohin si një mundësi të mirë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Ky moratorium për këtë çështje nuk nënkupton që duhet të ndalojmë lobimin tonë për të kërkuar njohjen e Kosovës si shtet nga shtetet ku mund të arrijmë dhe të sigurojmë këtë njohje. Këtë më së miri e dëshmon edhe fakti që menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington në prani edhe të presidentit Trump shteti i Kosovës u njoh nga shteti i Izraelit. Pra, çështja e mos aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dallon nga çështja e njohjes së shtetit tonë nga shtetet e tjera”.

“Marrëveshja e Uashingtonit ka hapur perspektivë dhe rrugë për njohje nga vendet tjera të cilat nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës. Me plot të drejtë mund të themi që përmes marrëveshjes së Uashingtonit kemi arritur të thyejmë bllokimin disavjeçarë në rrafshin e njohjeve të Kosovës”, tha ai.

Shala tha se edhe kërkuesit e kësaj interpelance në kohën kur ishin në qeveri hoqën dorë nga aplikimi në Interpol, me arsyetimin se nuk ka mbështetje derisa të sigurohet ajo. /Insajderi.com