​Veseli: Të korruptuarit dihen, ata që kanë shumë makina, shtëpi e gra

​Veseli: Të korruptuarit dihen, ata që kanë shumë makina, shtëpi e gra

Republika e Kosovës është në prioritet dhe nuk do të tolerohet askush që të abuzojë me pozita zyrtare dhe me paranë publike. Të gjithë ata të cilët kanë mundur apo mund të kryejnë veprime të cilat janë abuzive kundër ligjit, do t’u konfiskohet pasuria e paligjshme.

Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas takimit të përbashkët me ministrin e Financave, Bedri Hamza, ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë Shaip Havolli.Ai tha se Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme të përfituar në mënyrë jo të arsyetuar, është në fazën e leximit të dytë në Kuvend, dhe sipas tij, do të përfundojë shumë shpejt.

Veseli ka siguruar të gjithë qytetarët se askush në Kosovë nuk do të gëzojë pasurinë e përfituar jashtëligjshëm.Madje, kryetari i Kuvendit ka thënë se edhe qytetarët e kanë të njohur se kush janë të korruptuarit në Kosovë.

Veseli ka përçuar mesazhin për parandalimin e korrupsionit me veprime konkrete, jo vetëm me deklarata.
Edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri theksoi se të gjithë keqbërësit e parasë publike do të ballafaqohen me ligjet në fuqi. Sipas tij, në Qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion dhe kanë shkaktuar humbje miliona euro.

Kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsion Shaip Havolli theksoi se janë të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Sipas AKK është në fazën e riorganizimit për plotësimin dhe ndryshimin e kornizës ligjore për funksionimin e Agjencisë.

Havolli shtoi se Agjencia një numër të madh të rasteve deri tash i ka trajtuar dhe dërguar në prokuroritë përkatëse, të dyshimta për korrupsion. Në fund ai tha se AKK është në fazën e hartimit të ligjit për Agjenci Kundër Korrupsion dhe Ligjit të Deklarimit dhe Prejardhjes së Pasurisë.