​VV synon që në shtator të rrëzojë Qeverinë Hoti me vota të PDK-së dhe LDK-së

​VV synon që në shtator të rrëzojë Qeverinë Hoti me vota të PDK-së dhe LDK-së

Lëvizja Vetëvendosje do të intensifikojë veprimet në muajin shtator për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti. Anëtari i Kryesisë së LVV-së, Haki Abazi, ka thënë se mocioni i mosbesimit është një proces që pritet të ketë sukses duke llogaritur në mbështetjen e një pjese të Lidhjes Demokratike, por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-zëvendëskryeministri Abazi ka deklaruar se në bazë të zhvillimeve që pritet të ndodhin javët në vijim duhet të ketë rikonfirmim të legjitimitetit qytetarë.

“Ky është proces normalisht presim që të realizohet me sukses edhe nënshkrimi i të gjitha subjekteve që janë duke parë që me këtë qeveri jemi në rënie të lirë…Unë mendoj që edhe një pjesë e LDK-së është e pakënaqur me atë se çfarë ka rezultuar i gjithë orkestrimi për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe krijuar një qeveri që është e paaftë për të menaxhuar situatën. Është në të mirën e të gjithëve që mos të thellohet kriza politike, por edhe problemet tjera me të cilën është duke ballafaquar vendi. Unë pres në 2-3 javët e ardhshme zhvillime të rëndësishme për vendin e cila situatë ka me kërkua rikonfirmim të legjitimitetit qytetarë”, thotë të ai për KP.

Abazi beson se në PDK do të ketë mendim të shëndoshë dhe racional për vendin edhe pse u shpreh se kjo parti ka një lloj flirti me LDK-në për bashkëqeverisje.

“Është një diversitet, mos të them dallime brenda partive politike në atë se çfarë duhet të bëhet. Sigurisht që Kemi pa një flirti dhe bashkëpunim të PDK-së nën tavolinë me LDK-në për përcaktimin e anëtarëve të bordeve publike, interesave të grupeve të ndryshme. Por gjithashtu mendoj që në secilën parti ka mendim të shëndosh dhe racional në atë se ku është duke shkuar vendi”, u shpreh Abazi. /Insajderi.com