Rrugëtimi i Arif Demollit nga poezia në libra shkolle e shkrime satirike

Rrugëtimi i Arif Demollit nga poezia në libra shkolle e shkrime satirike

Nga tekstet për fëmijë tek tekstet me satirë për të rritur e deri te revistat dhe televizionet, repertuari dhe kontributi i Arif Demollit është i majmë dhe i larmishëm.

Nga fëmijët mund të njihet më së miri me veprën e tij me tregime humoristike “Lushi si askushi”, ndërsa nga të rriturit me romanin “Vdekja e Akanit”.

Tjetër vepër e tij shumë e njohur është edhe “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” për të cilin ka marrë çmimin Pjetër Bogdani të shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ndër tjera çmime Arif Demolli u shpallë edhe laureat i Çmimit letrar kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”.

Për veprat e shpeshta me satirë politike ai edhe ishte dënuar me dy vjet burg në vitin 1981, dhe mu për këtë kishte mbetur pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave deri në vitin 1990.

Ndërsa për herë të fundit libër me satirë kishte botuar në vitin 1997, e që prej asaj kohe nuk kishte vazhduar më me atë për të cilën njihej më së miri, njihej si “specialist”.

Me çlirimin e Kosovës ishte ndjerë më i qetë, kishte thënë ai në një intervistë në vitin 2010, dhe prandaj edhe kishte ndërprerë shkrimet për të rritur.

Disa prej teksteve të tij satirike e politike të asaj kohe, mund ti gjejmë të huazuara në albumin e këngëtarit të mirënjohur Sabri Fejzullahu.

Albumi “Pak Dritë” prodhuar në një kasetë të asokohe nga produksioni Labia, në Kosovën e okupuar nga ish-Jugosllavia. Më saktësisht nga tetë këngët e tij, pesë ishin tekste të Arif Demollit.

Përshkruhet si një person i dashur dhe plot pozitivitet e humor, Arif Demolli pos tjerash punoi edhe në revistën “Bota e Re”, në Televizionin e Prishtinës, revistat “Fjala”, “Pionieri”.

Ndërsa këto vitet e fundit ai kishte punuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.