Von Cramon: Nuk mjafton të bisedohet, duhet datë për vizat e kosovarëve

Von Cramon: Nuk mjafton të bisedohet, duhet datë për vizat e kosovarëve

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar duke thënë se nuk mjafton vetëm fakti që është biseduar për liberalizimin e vizave për kosovarët në Këshillim e Bashkimit Evropian, pasi qytetarët  Kosovës duan një datë se kur do të ndodhë liberalizimi, njofton Insajderi.

Këto komente i bëri ajo në Twitter, pas raportimeve se në Draftin e Konkluzave që është përgatitur e që është në proces të miratimit, vetëm përsëritet se “Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Evropian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.

Në reagimin e saj Viola von Cramon ka thënë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë të qartë një datë, e kjo varet nga Këshilli Europian.

“I gëzohem faktit që Këshilli i Bashkimit Evropian ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë një datë të qartë. E gjitha kjo varet vetëm nga Këshilli”./Insajderi.com