Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nëse Kosovës i pamundësohet hyrja në NATO, atëherë zgjidhja e vetme është referendumi për bashkim me Shqipërinë, njofton Insajderi.
Haradinaj u shpreh se 14 shkurti është referendum ‘për Kosovën në NATO’, “që del nga rrethimi që ia kanë bërë Serbia dhe Rusia”.
Këto deklarata i pari i AAK-së i ka bërë gjatë një vizite në Pejë, ku ka takuar strukturat e nëndegëve të këtij qyteti.
“Ne duhet të themi se ne kërkojmë të hymë në NATO si Kosovë si shtet i pavarur. Nuk na mbetet tjetër pos referendum për bashkim me Shqipërinë nëse na pamundësohet ajo. Është real që mund të ndodhë bashkimi nëse vazhdon bllokada që po i bëhet Kosovës. Këtë duhet ta dëgjojnë miqtë dhe ata që po na bllokojnë”, tha ndër të tjera Haradinaj./Insajderi.com