Albulena Haxhiu ia kthen letrën babait të Agonis Tetajt

Albulena Haxhiu ia kthen letrën babait të Agonis Tetajt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ia ka kthyer letrën, Isuf Tetajt, babait të Agonisit, i cili u vra në vendin e tij të punës në Deçan.

Haxhiu, ka shkruar se edhe ajo është njësoj e shqetësuar në raport me deklaratat e ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili kishte deklaruar se ricilësimi i veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia” ishte i duhur, duke shtuar se është e vështirë të besohet se ka pasur një motiv që të kryhet vrasja e Agonisit.

“Ju falënderoj për email tuaj me anë të së cilës shprehni shqetësimet në raport me deklaratat e ish Kryetarit të Gjykatës Supreme, z.Fejzullah Hasani. Jam njësoj e shqetësuar me qasjen dhe me deklaratat e tij të paqëndrueshme dhe që e dëmtojnë rëndë procesin. Një person që ka qenë në hierarkinë më të lartë të sistemit të drejtësisë assesi nuk mund të bëjë deklarime të tilla të cilat për bindjen time kapërcejnë edhe lirinë e shprehjes”, thuhet në letër.

“Ju njoftoj që brenda kësaj kohe, prej sa kam marr detyrën si Ministre, kam pasur takime me përfaqësuesit e sistemit prokurorial dhe në secilin takim kam shprehur brengën mbi ndikimet e mundshme në përgjithësi mbi sistemin e drejtësisë dhe në veçanti edhe për rastin e vrasjes së djalit tuaj Agonis Tetaj. Gjithashtu për dyshimet mbi ndikimet e avokatëve në punën e prokurorëve”, vazhdon letra.

“Prandaj edhe do të punojmë në këtë drejtim me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Jemi të vetëdijshëm që do të kemi sfida në këtë drejtim sikurse edhe kemi vullnetin dhe gatishmërinë për adresimin e këtyre sfidave”.

“Pavarësisht deklaratave të paqëndrueshme të z.Fejzullah Hasani, rasti i vrasjes së djalit tuaj Agonis Tetaj tashmë ka marrë vëmendjen e opinionit publik dhe secili veprim i institucioneve të drejtësisë do të përcillet me vëmendje”.

Në fund të letrës, ministrja ka shkruar se drejtësia mbetet drejtësi vetëm kur u shërben të gjithëve./Insajderi.com