11 fëmijë të hospitalizuar si pasojë e COVID-19

11 fëmijë të hospitalizuar si pasojë e COVID-19

Me rritjen e numrit të rasteve të reja të infektimit me COVID-19 në Kosovë, është rritur edhe shifra e të hospitalizuarve që janë nën moshë, njofton Insajderi.

11 fëmijë janë shtruar në spitale si pasojë e prekjes nga ky virus, të cilëve i ka shfaqur probleme shëndetësore.

Lidhur me gjendjen me Coronavirus në Klinikën e Pediatrisë, detaje ka dhënë drejtoresha e kësaj klinike Drita Telaku – Qosaj.

“Ne kemi pasur vazhdimisht raste të fëmijëve me COVID-19. Ditëve të fundit kemi një rritje të rasteve. Vetëm dje pesë fëmijë kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus. Një nga ta është në gjendje më të rëndë. Jemi duke ia përcjell gjendjen. Të intubuar nuk kemi”, ka thënë ajo për KK.

“Aktualisht të hospitalizuar si pasojë e COVID-19 i kemi 11 fëmijë. I kemi dërguar për trajtim një Njësinë COVID. Zakonisht i kemi pasur nga dy apo tre fëmijë, por kohëve të fundit kemi një rritje të rasteve”, ka shtuar Telaku – Qosaj.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, 489 persona derisa tetë të tjerë kanë humbur jetën me këtë virus. /Insajderi.com