11 personat që rezultuan pozitiv me koronavirus të hënën, nga fshati Vrapçiq i Gjilanit, janë pjesëtarë të një familjeje.
Lajmin e ka konfirmuar të hënën kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili e ka quajtur këtë një “lajm të keq për familjen Shaqiri dhe Gjilanin”.
“11 anëtarë të familjes Shaqiri (Vrapçiq), si pasojë e infektimit nga anëtarja e familjes e cila ka ardhur nga Gjermania, fatkeqësisht rezultuan pozitivë me Covid19″, u shpreh Haziri.
“Apeloj qytetarët që të mos kenë kurrëfarë shqetësimi sepse kemi marrë veprime për karantimim të plotë dhe menaxhim të situatës në vendet e prekura. Duhet të potencohet se Zhegra nuk e ka asnjë rast të ri pas testit të dytë sot, dhe pjesa tjetër e komunës është e paprekur”, u shpreh Haziri.
Kreu i Gjilanit u shpreh se 11 pjesëtarët e familjes Shaqiri janë infektuar po ashtu nga dy anëtarë të tjerë të familjes së vet, të cilët kishin rezultuar pozitiv me koronavirus disa ditë më parë.
“11 anëtarë të rinj të familjes Shaqiri në Gjilan janë infektuar nga dy anëtarët e tjerë të familjes të cilët kanë qenë të prekur”, ka thënë Haziri. /Insajderi.com