110 gjakovarë mbesin pa patentë shoferë shkaku i alkoolit

110 gjakovarë mbesin pa patentë shoferë shkaku i alkoolit

Drejtoria Rajonale Policisë në Gjakovë, respektivisht Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, njofton se gjatë ditëve të fundit kanë ndërmarrë masa të shtuara në trafikun rrugor, duke zbatuar plane operative dhe duke rritur aktivitet parandaluese në terren.

Sipas njoftimit, në kuadër të aktiviteteve preventive të sezonit veror për parandalimin e aksidenteve, Policia e Kosovës nga Drejtoria Rajonale në Gjakovë është duke implementuar plane të ndryshme operative e në veçanti Planin Operativ “Alkooli” dhe kundërvajtjet tjera të rrezikshme.

Policia thotë se ky plan operativ ka filluar nga data 05.07.2019 dhe do të implementohet në vazhdimësi gjatë sezonit veror dhe ka për qëllim sigurinë rrugore dhe parandalimin e kundërvajtjeve në Rajonin e Gjakovës.

“Zyrtarët policor të NJRKRR-DRP Gjakovë, kanë bërë matjen me alkool të 1908 drejtuesve të automjeteve dhe deri me tani kanë shqiptuar 110 gjoba për ngasje nën ndikimin e alkoolit dhe si masë mbrojtëse janë konfiskuar 110 patentë shoferë të cilëve njëkohësisht ju është ndaluar ngasja e automjeteve deri në nëntë muaj”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, përveç kundërvajtjes nën ndikimin e alkoolit, NJRKRR është marrë edhe me kundërvajtje të tjera të cilat janë rrezik permanent për shkaktimin e aksidenteve rrugore, ku deri me tani në planin e lartcekur operativ janë shqiptuar 344 gjoba dhe janë konfiskuar si masë mbrojtëse 25 patentë shofer nga kundërvajtësit e ndryshëm.

“Po ashtu NJRKRR-DRP Gjakovë po vazhdon edhe me aktivitete tjera parandaluese duke lansuar fushatën vetëdijësuese “Dhjetë rregullat e arta të sigurisë rrugore” dhe deri më tani kjo fushatë për vetëdijesim është lansuar me sukses në tri komunat e Rajonit të Gjakovës (Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec) dhe vazhdon së implementuari edhe ditëve në vijim”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Insajderi.com