Këshilli i Prindërve thotë se nxënësit nuk janë të sigurtë në shkolla

Këshilli i Prindërve thotë se nxënësit nuk janë të sigurtë në shkolla

Këshilli i Prindërve të Kosovës është ankuar për mungesë sigurie të nxënësve në shkolla, pas rastit të ngacmimit seksual të një të miture në oborrin e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga Këshilli kanë thënë se kjo rezulton si pasojë e menaxhimit të dobët të shkollave nga drejtorët si dhe nga pamjaftueshmëria e mbikëqyrjes efikase të drejtuesve të shkollave nga drejtoritë komunale të Arsimit.

Ata janë shprehur të shqetësuar për rastin në fjalë, ndërsa u kanë kërkuar prindërve që të rrisin angazhimin me fëmijët e tyre në aspektin edukativ si dhe kanë ftuar organet kompetente që të shtojnë angazhimin në kryerjen e detyrave dhe krijimin e ambienteve të sigurta nëpër shkolla.

Nga Këshilli po ashtu kanë reaguar ndaj deklarimeve të drejtoreshës së Arsimit të Prishtinës, Shpresa Shala, në lidhje me rastin.

Sipas tyre, deklarata e saj për media se “shkolla nuk ka se si me qenë përgjegjëse për rastin që ka ndodhur në ditë vikendi”, është e papërgjegjshme dhe mungesë totale e njohjes së kompetencave të saj.

“KPK-ja kërkon që rasti të trajtohet deri në fund dhe me kujdes, pa lënduar personalitetin e nxënësve të përfshirë për shkak të moshës së tyre dhe apelon te gjithë akterët kyçë që të bashkëpunojnë në parandalimin e rasteve tjera”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com