Hajdari: Reciprociteti ndaj Serbisë nuk është zgjidhje e problemeve

Hajdari: Reciprociteti ndaj Serbisë nuk është zgjidhje e problemeve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, deklaroi të martën se reciprociteti me Serbinë nuk është zgjidhje e problemeve që ekzistojnë mes dy shteteve.

Sipas saj, Kosova duhet të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë.

Hajdari theksoi se në rolin e ministres do të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe të zgjidhë problemet, “pavarësisht se Serbia po bën gjithçka që të pengojë vendin tonë”.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë konferencës rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës dhe partnerët e saj, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Vlorës.

Hajdari shtoi se Kosova nuk është e përfaqësuar mirë në iniciativat rajonale prandaj kërkoi edhe mbështetjen e odave prezentë në këtë konferencë.

“Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi ministrja.

Rreth një muaj më parë, Hajdari kishte thënë se për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë janë duke i analizuar raportet me të gjitha shtetet fqinje në aspektin tregtar.

Para mediave, ajo kishte potencuar se fillimisht do t’i përdorin mekanizmat e CEFTA-s në këtë drejtim, përfshirë edhe një qasje të unifikuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa të reciprocitetit për secilin shtet, përfshirë edhe Serbinë./Insajderi.com