Kompania që pretendon t’ua marrë 120 mijë euro Stupcave

Kompania që pretendon t’ua marrë 120 mijë euro Stupcave

Treshja e humorit “Stupcat” dhe kompania “On Air” janë në një proces gjyqësor. Kompania e cila ka menaxhuar me llogarinë e Stupcave po pretendon se treshja e njohur e humorit e ka shkëputur njëanshëm kontrantën me ta.

Në një deklaratë e cila i është drejtuar policisë nga Drejtori Menaxhues i “Stupcat Group”, Vedat Bajrami, kërkohet që të hetohet kompania “On Air Fm” e cila është marrur me menaxhimin e kanalit të Stupcave në Youtube, “Stupcat TV”.

Sipas Bajramit, “On Air Fm” përveç që nuk është përkujdesur për mirëmbajtjen e kanalit të Stupcave në Youtube, ka bërë shpërndarje të materialit të krijimtarisë artistike të treshes humoristike nëpër kanalet tjera të cilat kanë qenë drejtpërdrejtë konkurrente të kanalit “Stupcat TV”.

Kompania OnAir.Fm ka dërguar një deklaratë me shkrim për Gazetën Express, duke sqaruar gjithë rastin si dhe duke zbuluar se kompania në fjalë tashmë ka ngritur padi ndaj aktorëve të njohur.

Deklarata me shkrim e OnAir.Fm

Kompania amerikane për menaxhimin e të drejtave dhe publikimin e materialeve digjitale “OnAir.FM” me seli në California të SHBA-së, ka paditur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kompaninë “Stupcat Group” që udhëhiqet nga aktorët e humorit, Vedat Bajrami dhe Osman Azemi, nga të cilët kërkojnë dëmshpërblim në vlerë prej 120 mijë euro për shkelje të kontratës në mënyrë të njëanshme. 

OnAir.FM ka vendosur që shkeljen e kontratës nga ana e Stupcave ta zgjidhë përmes institucioneve të drejtësisë në Kosovë, e jo përmes intrigave e manipulimeve mediale, siç janë përpjekur të bëjnë aktorët e grupit Stupcat. 

OnAir.FM ka autorizuar avokatin e mirënjohur kosovar, Hasan Hoti që të përfaqësojë padinë e shkeljes së kontratës që kanë bërë pronarët e grupit “Stupcat”, Vedat Bajrami dhe Osman Azemi. 

Ne besojmë që drejtësia kosovare do të veproj shpejt dhe t’i japë fund mashtrimeve dhe trillimeve të këtyre personave, të cilët përpiqen që famën e tyre ta përdorin vetëm për përfitime materiale dhe në dëmë të të tjerëve dhe në kundështim të kontratës sipas ligjeve në fuqi.

OnAir.FM si kompani amerikane do ta mbajë të informuar për gjithë procesin e zgjidhjes së këtij kontesti edhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur padinë e protokoluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë si dhe ankesën e deponuar te Këshilli i Mediave të Shkruara për shpifjet mediale nga Stupcat./Insajderi.com