12 fshatra të Deçanit pa ujë, Ramosaj prioritet krijimin e kompanisë komunale

12 fshatra të Deçanit pa ujë, Ramosaj prioritet krijimin e kompanisë komunale

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pas helmimit me ujin e pijes të qindra banorëve në këtë komunë, thotë se ka prioritet krijimin e një kompanie të ujësjellësit që do të menaxhohet nga komuna, njofton Insajderi.

Ramosaj ka thënë se ka ndërprerje të ujit në 12 fshatra për shkak të kontaminimit.

“Në një qytet ku ka shumë burime të ujit siç është komuna e Deçanit, është shumë e padrejtë të ketë problem me ujin e pijes, të ketë problem me cilësinë e investime në kapacitete ose në standardizimin e këtij ujësjellësi, do jem tepër insistues që kompania të jetë komunale. Kjo e do një kohë sepse janë procedura administrative dhe ligjore por është vullneti politik shtyrë edhe nga nevojat e qytetarëve jam i sigurt që po flas se në rast se menaxhon komuna ujë, do ketë 24 orë, 7 ditë në javë, uji do jetë në cilësinë e duhur dhe standardizimi, qoftë në nivelin e shpërndarjes të ujit do jetë në nivel të duhur”, ka thënë ai.

“Furnizimi tashmë është i ndërprerë në 12 fshatra, ka njëfarë procedure dhe burokracie. Ne kemi me marrë vendim si ekzekutiv dhe si asamble komunale dhe do e përgatisim gjithë dokumentacionin prej statutit, aktit të themelimit të kësaj ndërmarrje në harmoni me ligjin për ndërmarrje publike, lokale dhe atë për shoqëri aksionare që janë pjesë e kësaj procedure”, ka shtuar ai, raporton portali “Koha”.

“Sa ka me marrë kohë nuk e di por tani për tani jemi në një situatë të tillë, 12 fshatra nuk guxojnë me pi ujë të pijes derisa të bëhet një ekspertizë dhe sanim i komplet gjendjes”, u shpreh Ramosaj.

Kryetari i komunës së Deçanit e ka quajtur neglizhencë institucionale që gjashtë rezervarët që banorët e Deçanit furnizohen me ujë vetëm njëri prej tyre ka klorinator automatik, dhe pesë të tjerët janë manual. /Insajderi.com