147 mijë njerëz vuajnë nga sëmundjet në mushkëri

147 mijë njerëz vuajnë nga sëmundjet në mushkëri

Në Republikën e Maqedonisë 147.000 njerëz vuajnë nga sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive (SKOM).

Nën moton “Fytyrat e shumta të SKOM”, nesër do të shënohet Dita Botërore e SKOM, ndërsa qëllimi është ngritja e vetëdijes, informimi i publikut për manifestimet, pasojat e mundshme dhe mundësitë parandaluese dhe terapeutike, me ç’rast do të mundësohej diagnostifikim në kohë dhe përmirësim i kujdesit për pacientët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Të dhënat për të sëmurët që trajtohen në ambulanca dhe të hospitalizuar me SKOM në Klinikën për Pulmologji dhe Alergji tregojnë trend rritës në katër vitet e fundit (në vitin 2014 – 3.195 pacientë në ambulancë dhe 523 të hospitalizuar, 2015 – 3.737 në ambulancë dhe 586 të hospitalizuar, 2016 – 4.320 në ambulancë dhe 610 të hospitalizuar, 2017 – 3.587 në ambulancë (20 për qind prej të gjitha ekzaminimeve) dhe 654 hospitalizime (që përfaqësojnë 42 për qind të të gjithë pacientëve të hospitalizuar).

Sipas të dhënave OBSH-s, 328 milionë njerëz vuajnë nga SKOM, që paraqet 5-10 për qind të popullsisë botërore, edhe atë 168 milionë burra dhe 160 milionë gra. Sipas hulumtimeve të fundit, rreth tre milionë njerëz vdesin çdo vit nga SKOM. Përqindja më e madhe e tyre (më shumë se 90 përqind) ndodhin në vende më pak të zhvilluara dhe të mesme.