153 banorë të Kamenicës në karantinë – Kryetari Kastrati jep detaje të hollësishme lidhur me gjendjen

153 banorë të Kamenicës në karantinë – Kryetari Kastrati jep detaje të hollësishme lidhur me gjendjen

153 persona nga Komuna e Kamenicës dyshohet se kanë pasur kontakte me 12 personat e prekur nga koronavirus. Të gjithë ata janë izoluar në karantinë në shtëpitë e tyre.

Këto deklarime i ka bërë kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për Gazetën Online Insajderi.

Ai ka deklaruar se së fundmi janë bërë 36 teste dhe që të gjitha kanë rezultuar negative.

“E kemi një listë 153 personave të cilët kanë mundur të kenë kontakte direkte ose indirekte, të gjithë këta janë në karantinë në shtëpi. Prej këtyre, 21 personave iu kanë bërë testi dhe tjerëve mbetet ditëve në vazhdim. Jemi të vetëdijshëm që numri i testeve nuk është i mjaftueshëm dhe jemi duke i përpiluar listat së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë se kush mund të jetë aty”, ka thënë ai.

Kastrati ka potencuar për Insajderin se fshati Topanicë mbetet më i prekuri me pandeminë koronavirus ndërsa jashtë fshatit, gjenden edhe katër familje të tjera që janë vendosur në karantinë.

“Personi më i moshuar është 72 vjeçar, i dyti 69 vjeçar, ndërsa të tjerët janë nën 50 vjet. Është dhe një foshnje pesë muajshe që gjendet në Klinikën Infektive”, ka shtuar Kastrati.

Sipas tij, Komuna e Kamenicës është në kontakt të plotë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Policinë e Kosovës dhe Kryqin e Kuq, për t’u ballafaquar së bashku me koronavirusin.

Mëngjesin e sotëm janë shënuar edhe dy viktima të reja nga koronavirusi në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, viktima mashkull S.N., i moshës 59 vjeçare nga Prishtina, ka ndërruar jetë në orën 03:00. Ai ishte me sëmundjen e diabetit.

Gjithashtu, pacientja tjetër, N.R., 70 vjeçare nga Korisha e Prizrenit, ka ndërruar jetë në orën 07:00. Edhe kjo thuhet se ka qenë e prekur nga sëmundja e diabetit./Insajderi.com/