17 mjekët e infermierët e Vitisë pritet që nesër të dalin nga karantina

17 mjekët e infermierët e Vitisë pritet që nesër të dalin nga karantina

Para 14 ditësh, 17 mjekë e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunës së Vitisë, kishin pasur kontakt me personin e parë që doli pozitiv në testin për coronavirus (COVID-19) në Kosovë, e që ishte i moshuari, 77-vjeçar, që po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sot është dita e fundit që 17 mjekët e infermierët e QKMF-së në Viti do ta kalojnë në karantimë, sepse që nga nesër ata pritet të dalin dhe të vazhdojnë jetën e punën e tyre normale.

Pritet që nesër të bëhet edhe një test nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në mënyrë që të vërtetohet se ata nuk janë të prekur me coronavirus.

Në një prononcim për Telegrafin drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli ka thënë se gjendja e 17 mjekëve e infermierëve është stabile.

Kadolli tha se të gjithë janë mirë me shëndet dhe se po presin që gjatë të premtes të bëjnë edhe testin e dytë i cili shpresojnë se do të dal negativ për të dal pastaj nga karantina.

“Ne jemi 17 veta, mjek e infermierë dhe të gjithë fatmirësisht jemi mirë me shëndet. Testi i parë të cilin e kemi bërë ka dal negativ. Nesër presim të bëhet edhe testi i dytë në mënyrë që të lirohemi nga karantina. Vazhdimisht jemi në kontakt me IKSHP në Prishtinë dhe IRSHP në Gjilan”, tha Kadolli.

Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i ka falënderuar mjekët e infermierët e Vitisë për sjelljen e tyre me përgjegjshmëri gjatë këtyre 14 ditëve sa kanë qëndruar në karantinë.

Haliti për Telegrafin tha se nesër pritet që ata t’i kthehen jetës normale, pasi sot është dita e tyre e fundit në karantinë.

“Gjendja është e mirë , sot është dita e fundit edhe sot janë në izolim që nga nesër do t’i kthehen jetës normale. Rezultatet e testit të parë kanë dalë negative, nuk e di nëse Instituti do të bëjë teste më. Unë i falënderoj për sjelljen e tyre me përgjegjshmëri”, tha Haliti.