fbpx

17-vjeçari dëbohet nga Gjermania për në Kosovë, klasorët mbeten të tmerruar

17-vjeçari dëbohet nga Gjermania për në Kosovë, klasorët mbeten të tmerruar

Adnan Rizani, nxënës 17-vjeçar me origjinë nga Kosova, është dëbuar papritur nga qyteti Worms i Gjermanisë për në Kosovë gjatë natës.

Mësuesja e Rizanit, Marika, kishte marrë një mesazh me zë në Whatsapp nga tani ish-nxënësi i saj pasi ishte dëbuar. Ajo nuk kishte menduar se është diçka e keqe pasi që ishte e zakonshme të merrte mesazhe nga nxënësit. Por ky mesazh e kishte lënë të shokuar.

“Përshëndetje zonja Kara. Sot gjatë natës policia ka ardhur në orën 3 në shtëpinë tonë, jam dëbuar. Tani jam në shtëpi në Kosovë. A mund të më thirrni në telefon?”, ka pyetur Rizani, nxënës i klasës së nëntë.

Edhe pse Marika e di që të refugjatët nga Kosova kishin mundësi të vogla të qëndronin në Gjermani, “Por prap isha e shokuar”, tregon 49-vjeçarja.

Edhe klasorët e Adnanit ishin të tmerruar, pasi ai i kishte lajmëruar që të gjithë, shkruan gazeta gjermane Wormser Zeitung.

Adnani kishte vend mësimi sikurse motra e tij e madhe. Prindërit e tij kanë që të dy punë të siguruara. Të gjithë janë të integruar, sillen sipas rregullave. Nuk mund ta kuptoj këtë”, thotë shoku i ngushtë i Adnanit, Hasani.

Tani edhe gjashtë refugjatë të tjerë të asaj klase kanë frikë se mos do të dëbohen njësoj si shoku i tyre gjatë natës.

Shokët e klasës e përshkruajnë Adnanin si një person të gatshëm për të ndihmuar, i shoqërueshëm dhe gazmor. Edhe kur kishte pasur ndonjë përleshje, ai kishte qenë i pari për të raportuar. Këtë gjë e konfirmon edhe mësuesja.

“Adnani ka qenë me ne në shkollë për tri vite, është përshtatur për mrekulli, flet mirë gjermanisht dhe është një nxënës me nota katërshe dhe tresha”, thotë mësuesja e cila vazhdon të tregojë se si Adnani ka ndihmuar në të gjitha rastet kur ka pasur konflikte.

Herën e fundit njëri prej nxënësve e kishte thyer dorën dhe mësuesja tregon se “Adnani e kishte mbështetur, ia kishte mbajtur çantën deri në stacion”.

“Këta janë njerëz të cilët i duhen shoqërisë sonë. Adnani është tërësisht i integruar dhe kishte shumë për të kontribuar në prodhimin bruto shoqëror”, thotë një shoqe tjetër e klasës, Margita 17-vjeçare.

Ata kanë dalur si shenjë proteste me një siluetë si simbol me mbishkrimin: “Ti ke vendin tek ne”, të tmerruar që autoritetet e kishin dëbuar klasorin e tyre të preferuar gjatë natës.

Kryetari Wormsit, Hans-Joachim Kosubek, e di për gjithë këto raste. Por në këtë rast autoriteti për çështje të jashtme nuk kishte bërë përjashtim përkundër kërkesës për suspendim të dëbimit. Kjo pasi qytetarët e Kosovës, vend i cili klasifikohet si vend i sigurt i origjinës, nuk kanë zakonisht mundësi të qëndrojnë në Gjermani.

“Kjo është e mundshme nëse ka sëmundje serioze të cilat nuk mund të trajtohen në ventin e tyre”, thotë Kosubek.

Tani Adnani është në Kosovë dhe përmes kontaktit me telefon tregon që po ia dalin disi.

“Gjyshi na ka marrë në shtëpinë e tij në Prizren. Është ngushtë, por po ia bëjmë disi”, thotë Adnani.

Përkundër familjes së tij të cilët janë dorëzuar për kthimin në Gjermani, pasi që edhe sa kanë qenë atje kanë luftuar për qëndrim, Adnani thotë që nuk do të do të dorëzohet me ç’rast ka shkuar në konsullatën gjermane.

“Ata më kanë propozuar të marr një avokat, me anë të tij të kthehem dhe të mbaroj shkollën. Por më duhet edhe një garantues në Gjermani” ka thënë Adnani.

Sidoqoftë, ai nuk do të harrojë asnjëherë natën e dëbimit, ku edhe përkundër që tregonte që ishte nxënës dhe kishte shkollë ata nuk e kishin dëgjuar dhe e kishin kthyer. /Insajderi.com