Ish-funksionarit të lartë të Malit të Zi, i konfiskohet e gjithë pasuria

Ish-funksionarit të lartë të Malit të Zi, i konfiskohet e gjithë pasuria

Organet e gjyqësisë të Malit të Zi kanë konfiskuar përkohësisht gjithë pasurinë e Svetozar Maroviqit, ish-funksionarit të lartë të Malit të Zi (presidentit të të ashtuquajturës Federata Serbi-Mali i Zi, e pastaj kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, si dhe kryetar i DPS –it) si dhe të rrethit të tij familjar.

Maroviq ishte dënuar më 3 vjet e 10 muaj burgim për korrupsion, si udhëheqës i grupit kriminal në Budva të Malit të Zi, transmeton Koha.net raportimin e medieve të Malit të Zi.

Ai ishte liruar përkohësisht nga vuajtja e dënimit për shkak të gjendjes shëndetësore, por nuk ishte paraqitur më në institucionin ku duhej të kryente dënimin. Pohohet se është vendosur në Beograd. Për pasojë atij, bashkëshortes dhe djalit të tij u është konfiskuar përkohësisht e gjithë pasuria – banesa, tokë, para të deponuara në bankë me vlerë shumëmilionëshe.

Gjykata e Lartë e Podgoricës ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë Speciale Shtetërore që pasuria e Maroviqit, i dënuar si udhëheqës i grupit kriminal të Budvës, të konfiskohet deri sa të mos bëhen zyrtare rezultatet e hetimeve financiare, nëse shumë banesa, shtëpi dhe tokë janë fituar me aktivitete kriminale. Bëhet fjalë për dhjetë patundshmëri në Budva.

Maroviq pas mbajtjes shumëmuajshe në arrest dhe hetimeve kishte pranuar akuzat.