19 arinj të “Pyllit të Arinjve Prishtina” dhe aventura e tyre në shpëtimin e kafshëve në Fier

19 arinj të “Pyllit të Arinjve Prishtina” dhe aventura e tyre në shpëtimin e kafshëve në Fier

19 arinj janë duke fjetur në Pyllin e Arinjve që gjendet në afërsi të liqenit të Badovcit në Prishtinë. Ata pritet të zgjohen në mars të këtij viti për aktivitetet që i presin ata dhe punëtorët e parkut, “Bear Sanctuary Prishtina”.

Pylli i Arinjve pritet që këtë vit të pres një numër të madh vizitorësh në çdo ditë të javës dhe në tri stinë të vitit, shkruan Gazeta Insajderi.

Taulant Hoxha nga Pylli i Arinjve Prishtina ka treguar për Gazetën Insajderi për gjendjen e parkut dhe për kushtet të cilat i ofron parku. Ai ka treguar se për momentin janë duke punuar vetëm gjatë vikendeve.

“Pylli i Arinjve Prishtina aktualisht akomodon 19 arinj, të shpëtuar nëpër vende të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri. Pylli është i hapur gjatë 3 stinëve (Pranverë, Verë, Vjeshtë) çdo ditë të javës e hënë e diele, kurse gjate stinës së dimrit vetëm gjatë vikendeve, ditëve të javës është i mbyllur për shkak se arinjtë janë në gjumë dimëror momentalisht të gjithë 19 arinjtë janë në gjumë”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka treguar se parkun e arinjve ushtrohen një numër i madh aktivitetesh. Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar është funksionalizuar edhe Qendra për Edukim Mjedisor, “Thesaret e Natyrës”.

Gjatë vizitave në park, Hoxha ka treguar se në kuadër të kësaj qendre organizohen një lloj i madh aktivitetesh, përveç kësaj në kuadër të saj shumë fermerë promovojnë edhe produktet e tyre vendore dhe ekonomi të vogla familjare.

“Gjate vitit 2018 në kuadër të Pyllit te Arinjve është funksionalizuar Qendra për Edukim Mjedisor “THESARET E NATYRES”  ku organizohen aktivitete të ndryshme e veçanërisht për nxënës dhe familje. Në kuadër të qendrës funksionon: restorant me meny vegjetariane dhe organike nga fermerët e zonës, dyqani i suvenireve ku shiten dhe promovohen produkte vendore nga organizata dhe ekonomi të vogla familjare, si dhe sallat për ekspozita dhe konferenca që kryesisht shfrytëzohen për organizime të ndryshme nga organizata jo-qeveritare”, ka tregua ndër tjera Hoxha.

Mirëpo nuk janë vetëm këto aktivitete të stafit të “Pylli i Arinjve Prishtina”. Para tre muaj kontributi i tyre ka pas një rëndësi të veçantë në shpëtimin e kafshëve të ngujuara në kopshtin zoologjik “Safari”, në Fier.

Kafshë që ishin të kequshqyera dhe të keqtrajtuara në kopshtin zoologjik, një luan i cili  jeton me një sy të infektuar në një kafaz të ngushtë, që gjithashtu është shtëpia e një ujku, një zebre, disa drerëve, një majmuni dhe një ariu, i kishin dal në ndihmë “Pylli i Arinjve Prishtina”.

Hoxha ka treguar për Gazetën Insajderi se ata kanë shpëtuar kafshët e ngujuar në këtë kopsht. Ai thotë se pjesë e aksionit të shpëtimit të këtyre kafshëve kanë qenë që nga viti 2015.

“Pylli i Arinjve Prishtina (Fondacioni “VIER PFOTEN Kosova) ka qenë pjesë e aksionit për shpëtimin e kafshëve të egra nga kopshti zoologjik “SAFARI” ne Fier. Duke qenë se ne funksionojmë në kuadër të Four Paës International / Vier Pfoten, kemi qenë pjesë e aksionit që nga vëzhgimet e para në vitin 2015 dhe hapat tjerë deri tek aksioni përfundimtar për lirimin e kafshëve në tetor të vitit 2018”, ka treguar Hoxha.

“Ne vazhdojmë në mbikëqyrjen dhe kujdesin ndaj këtyre kafshëve të cilat aktualisht gjenden në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, derisa ato të dërgohen në destinacionet e tyre përfundimtare në Gjermani, Holandë”, ka thënë Hoxha. /Insajderi.com