
20 persona janë arrestuar nga policia italiane pasi dyshohet se janë pjesë e bande që merrej me trafik droge.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së premtes në provincat e Chietit, Genovas, Campobassos e Foggias.
Mes të arrestuarve raportohet se ka edhe disa shtetas shqiptarë. Autoritetet italiane kanë mbajtur për më shumë se një vit nën hetim anëtarët e grupit teksa ka verifikuar se droga trafikohej nga Shqipëria, Hollanda e Sllovenia.
Të arrestuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende të ditur, akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje e pjesëmarrje në krim të organizuar.