20 vjet nga masakra mbi familjen Berisha – varrezat në gjendje të tmerrshme

Kanë kaluar 20 vite nga masakra në Suharekë ndaj 50 anëtarëve të familjes Berisha. Në vitin 2015 ishte ndarë parcela për ndërtimin e kompleksit memorial, katër vjet pas kësaj projekti ende nuk është realizuar, varrezat ndodhen në gjendje të tmerrshme.

20 vjet nga masakra mbi familjen Berisha – varrezat në gjendje të tmerrshme

Ndonëse parcela për kompleksin memorial për 50-të të vrarët e familjes Berisha në Suharekë gjatë luftës në Kosovë u nda në vitin 2015, ende nuk ka arritur të realizohet ky projekt.

Në shtator të vitit 2018 kishte filluar puna për fazën e parë të kompleksit memorial, por pastaj kur punë-kryesi ka filluar punën ka gjetur se ka gabime në projekt. Ai ka ndërprerë punën duke bërë ndërhyrje në projekt.

Drejtori i Agjensionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj tha për Insajderin se fillimisht për projekt ishin ndarë 300 mijë euro.

Ai thotë se kompania e kontraktuar kishte filluar punën me 180 mijë euro, por se kjo shumë ndryshoi për shkak të ndërhyrjes së nevojshme.

Projekti i kompleksit memorial për familjen Berisha.

“Për kompleksin memorial fillimisht kanë qenë të buxhetura 300 mijë euro. Kompania e përzgjedhur e ka nisur fazën e parë të punës me 180 mijë euro, ai është zotuar që ka me përfundu dhe ne si Agjenci jemi të kënaqur me punën që e ka bëre deri tash, por kur është dashur me ndërhy në projekt për shkak të koordinatave ka ndryshuar edhe kosto e projektit dhe është dashur ne me siguru mjete shtesë pra edhe 50 mijë euro për me kompletu fazën e parë të këtij projekti”, ka thënë ai, përcjell Insajderi.

Zogaj ka bërë të ditur se projektin e ka realizuar Shpejtim Berisha që është edhe familjar i familjes Berisha dhe se agjension gjithherë është koordinuar me atë.

Lidhur me vonesat në realizimin e këtij memoriali, drejtori i Agjencisë ka dhënë disa arsyetime.

“Në vjeshtë fillojë koha me u prish dhe është dashur të ndërhyhet dhe ne për shkak të respektit të familjes Berisha ne si Agjenci nuk ndërmarrshim asgjë pa pëlqimin e arkitektit, ne kërkonim që ai të vinte dhe t’i bënte ndërhyrjet, ashtu siç na imponoheshin kushtet, por ai kishte edhe obligime të tjera dhe është vonuar dy herë për të na ndihmuar, pastaj filloj sezona e dimrit dhe mbeti deri në pranverë”, ka deklaruar ai.

E për shkak të gjithë këtyre rrethanave të krijuara, ku janë dashur edhe para për shkak të ndërhyrjes, Agjesioni është dashur të pres edhe për ndarjen e buxhetit për t’i siguruar mjetet për kompletimin e projektit.

“Jemi pajtuar me arkitektin me ndërhy në projekt, mjetet i kemi shënuar dhe po shpresojmë që brenda një javë dite ka me dalë pjesa tjetër e asaj ndërhyrje dhe po shpresoj që deri ka qershori do të përfundoj projekti”, ka thënë ai.

Me 26 mars është shënuar 20 vjetori i masakrës në Suharekë ndaj familjes Berisha. Forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë. Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar./Insajderi.com