216 myslimanë nisën nga Kosova për në Haxh – Së bashku me ta edhe Naim Tërnava

216 myslimanë nisën nga Kosova për në Haxh – Së bashku me ta edhe Naim Tërnava

Sot nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” janë nisur 216 besimtarë myslimanë për të kryer haxhin, kushtin e pestë të besimit islam.

Nga gjithsej 1080 sa do të udhëtojnë këtë vit, në mesin e tyre është edhe kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, për të cilin nuk është hera e parë që po udhëton për në Mekë.

Për dallim nga të tjerët, për këtë të fundit çmimi i mbi katër mijë eurove është i arsyeshëm.

Adem Rexha, 78-vjeçar, i cili shkon për herë të parë në Haxh, thotë se nisja për në këtë vend ka qenë dëshira e tij e vetme, megjithatë thotë se ky udhëtim është i shtrenjtë.

“Shtrenjtë boll është, po këtë dëshirë e kam pritur, vetëm për të shkuar në haxh njëherë… Shpresoj të shkojmë mirë dhe të kthehemi mirë”, tha Rexha.

E Rahime Aliu, 66-vjeçare e cila për në Haxh nisej me djalin e saj, lutet që të kthehet shëndosh në Kosovë.

“Po shkoj me djalin tim, për qejf, për të mirë, shpresoj na ndihmon Zoti… Shtrenjtë ka qenë, por djalin e kam në Gjermani, vajzën e kam në Zvicër. Vajza ma ka paguar mua”, deklaroi ajo për KosovaPress.

Në aeroportin ”Adem Jashari”, kishin ardhur edhe shumë familjarë për t’u përshëndetur me haxhilerët, ku shumë prej tyre janë parë edhe të emocionuar.

Hidajete Haxhiu, e cila ka ardhur për t’u përshëndetur me bashkëshortin dhe vjehrrën, thotë se është shumë e gëzuar që të njëjtit po nisen për në vendet e shenjta.

“Janë emocionet ashtu, shpresoj shkojnë mirë, kalojnë mirë, vijnë mirë të gjithë…Jam e gëzuar shumë, vetëm të kalojnë mirë dhe të vijnë mirë”, thotë ajo.

Për dallim nga haxhilerët, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, thotë  se çmimet për shkuarje në Haxh janë të arsyeshme në raport me përgjegjësitë që ka Bashkësia Islame e Kosovës, dhe pagesave që duhet të bëjnë për haxhinjtë.

“Naim Tërnava gjithherë paguan vetë haxhin, për këtë kur të doni mund të shihni. Edhe pse nuk është e rrugës ta paguaj, sepse unë i udhëheq haxhinjtë, jam kryetar i haxhinjve. Ti deri në Durrës kur shkon, ai që udhëheq, shkon pa pagesë”, ka thënë ai.

Haxhiu më i vjetër që do të niset këtë vit në Mekë është 90-vjeçar, ndërsa më i riu një vajzë 15-vjeçare nga Mitrovica.

Sipas Tërnavës, sot po realizohet ëndrra e shumë personave, për çka sipas tij BIK ka kryer të gjitha përgatitjet për udhëtimin në drejtim të vendeve të shenjta të 1080 haxhinjve.

“Ky numër i haxhinjve po realizojnë ëndrrat e tyre, mund të them jetësore, që kanë pasur në vazhdimësi që të kanë mundësi të plotësojnë një nga kushtet e islamit, siç është shkuarja në haxh. Bashkësia Islame e Kosovës, nisur nga parimi se domethënia që ka vetë udhëtimi në vendet e shenjta. Mund të them me përgjegjësi që çdo gjë sa i përket përgatitjes deri tash ka përfunduar, çdo gjë është në nivelin e duhur dhe besoj që bashkërisht këtë vit të jem edhe unë me haxhinjtë e Kosovës, t’i kalojmë këto 23 ditë apo 24 në Mekë dhe Medinë, ku do të kryejmë edhe këtë ibadet”, tha ai.

Gjatë këtyre ditëve, myftiu Tërnava tha se do të kenë mundësi të takohen edhe me delegacione të shumta. Sipas tij, janë pesë aeroplanë që do të aterojnë gjatë këtyre pesë ditëve, e vetëm sot për këtë udhëtim janë nisur 216 haxhilerë nga Prishtina.

Kujtojmë se numri i besimtarëve që shkojnë në vendet e shenjta  është rritur dhjetëfish dhe mosha mesatare është 40-vjeç, ndërsa çmimi i Haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.