Ministri i infrastrukturës deklarohet për tenderin që u kërcënua shefi i OSHP-së

Ministri i infrastrukturës deklarohet për tenderin që u kërcënua shefi i OSHP-së

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se procesi i hetimeve për tenderin e autostradës kanë filluar.

Lekaj, ka thënë se nëse nga hetimet e bëra prej departamenteve përkatëse dhe nga OSHP-ja dalin përfundimet se ka pasur parregullsi, tenderi do të përmbyset.

Gjithashtu ai ka bërë të ditur se procesi i tenderit është përcjellë nga fillimi me parregullsi e deri në fund, kur një ditë para se ai të vinte në krye të ministrisë, janë përzgjedhur operatorët më të përgjegjshëm në orën 23.

Lidhur me këtë tenderë dyshohet se është sulmuar shefi i OSHP-së, Blerim Dina, nga dy persona të dyshuar për të cilët Gjykata Themelore ka kërkuar 30 ditë paraburgim.

Dy të dyshuarit sipas Dinës dyshohet se njëri është kushëri i Sami Lushtakut, Shaban Lushtaku dhe biznesmeni Nuri Sallahu.

Dina ka dyshimet e tij lidhur me rastin. Thotë se po i bëjnë presion për dy tenderë.  Njëri prej tyre është tenderi multimilionësh për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

Lotin e pestë të tenderit e ka fituar kompania “Sallahu”, pronë e Naim Sallahut. Oferta e kësaj kompanie peshon 21 milionë euro.

Për periudhën, për të cilën Lekaj përmend përzgjedhjen e operatorëve, në krye të kësaj ministrie ka qenë Hanefi Muharremi.

Përmes telefonit, Muharremi ka thënë se ka qenë vet i befasuar kur nga komisioni i ka ardhur sugjerimi që nënshkrimi të bëhet në ditën e fundit të mandatit.

Vlera e kontratës për realizimin e projektit të autostradës së tretë në vend parashihet të arrijë deri në 200 milionë euro.