Shkollat pajisen me shporta që ndihmojnë riciklimin e mbeturinave

Shkollat pajisen me shporta që ndihmojnë riciklimin e mbeturinave

Në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë u bë inaugurimi i procesit të ndarjes së mbeturinave të reciklueshme

Projekti që është realizuar në bashkëpunim të Komunës së Prishtinës me organizatën gjermane GIZ dhe organizatën Green Art Center, parasheh vendosjen e shportave ku do të bëhet ndarja e mbeturina sipas kategorisë.

Arberie Nagavci, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, u zotua se shporta të tilla do të vendosen në të gjitha shkollat në Prishtinë.

“Të gjithë shkollat e Prishtinës do të pajisen me  shporta recikluese  të cilat do të  jenë të vendosura në korridore, oborre dhe në klasa në mundësi që nxënësit të kenë më të lehtë klasifikimin e tyre” tha Nagavci.

Në anën tjetër, menaxheri i projekteve nga GIZ, Kai Hofman, tha njoftoi ky projekt është realizuar në dyzet e dy  objekte të ndryshme dhe jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por edhe në komuna të tjera në Gjilan dhe në Pejë dhe së shpejti edhe në komunën e Mitrovicës.

Më tutje Lorik Muçaj, themeluesi i organizatës Green Art Center theksoi se përmes këtij projekti do të gjenerohen të ardhura për klube që merren me ambientin

“Me ndarjen e mbeturinave të reciklueshme jo vetëm që zvogëlojmë sasinë e mbeturinave që përfundon në deponi, ne gjithashtu mundësojmë gjenerimin e fondeve financiare për klubet e gjelbërta” tha ai.

Vendosjes së shportave nëpër ambientet e shkollës i janë gëzuar edhe nxënësit që presin që do të përmirësohet ambienti ku ata kalojnë një pjesë të ditës së tyre

“Është një iniciativë e mirë për arsye se e ulë ndotjen e ambientit, po ashtu e rritë vetëdijësimin tek nxënësit e shkollës që një jetë me ambient të pastër sigurisht që është më e shëndetshme se ajo me mbeturina” ka thënë Edlirë Maloku, nxënese e klasës së tetë.