29 mijë vota nga diaspora të aprovuara, refuzohen rreth 12 mijë të tjera

29 mijë vota nga diaspora të aprovuara, refuzohen rreth 12 mijë të tjera

76 vendvotime nga gjithsej 494 të tilla janë rinumëruar deri më tanë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi të martën në një konferencë për shtyp.

“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës. Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, ka thënë Elezi.

Ai tha se në QNR është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuar me fletëvotime nga jashtë vendit.

“Në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim:5 mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, ka thënë Elezi. /Insajderi.com