Obama edhe zyrtarisht mbështet Bidenin

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, mbështeti zyrtarisht ish-zëvendëspresidentin, Joe Biden, për të fituar nominimin e Partisë Demokratike si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2020.

Obama edhe zyrtarisht mbështet Bidenin

“Joe ka karakterin dhe përvojën për të na udhëhequr në një prej kohërave tona më të errëta “, tha Obama në një video 12-minutëshe të postuar në mediat sociale. Unë besoj se Joe i ka të gjitha cilësitë që na duhen për një president tani”, shtoi ai, duke e cilësuar zgjedhjen e tij që të garonin bashku me Biden në vitin 2008 si “një nga vendimet më të mira që ka marrë ndonjëherë”.

Mbështetja nga Obama vjen një ditë pasi rivali i Bidenit në garën brenda demokratëve, senatori Bernie Sanders, njoftoi se do ta përkrahte ish-nënpresidentin në përpjekjen e tij për të mposhtur republikanin Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit. Mbështetja e Sanders, e cila erdhi një javë pasi ai doli nga gara presidenciale, u konsiderua si një përpjekje për të konsoliduar Partinë Demokratike e cila është e ndarë në ideologji. Ekzistojnë shqetësime se disa figura nga krahu i saj përparimtar nuk do ta mbështesin Bidenin.

Ndërkohë, një ndihmëse e këtij të fundit e ka akuzuar kandidatin presidencial të partisë demokrate për sulm seksual ndaj saj gjatë fillimit të viteve 1990 kur ai ishte senator. Fushata e tij i mohon akuzat.