Serbia lavdërohet se do të jetë shteti më i armatosur në rajon

Gazeta kroate “Jutarnji List” shkruan, me rastin e vizitës se ministrit rus të mbrojtjes në Beograd, se po spekulohet se Sergei Shoigu nuk ka ardhur me duar të thata, dhe për këtë në Beograd lavdërohen se do të bëhen shteti më i armatosur në rajon.

Serbia lavdërohet se do të jetë shteti më i armatosur në rajon

Gazeta shkruan se Shoigu ka ardhur në Beograd me pompozitet të madh edhe atë pikërisht 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe se vizita e tij përputhet edhe me rritjen e tensioneve në marrëdhëniet e Serbisë me Malin e Zi për shkak të Ligjit për Liri të Besimit si dhe me krizën më të re në Bosnje dhe Hercegovinë, ku Millorad Dodik po paralajmëron dalje të Republikës Serbe nga BeH, në një deri dhjetë vjetët e ardhshme.

“Ardhja e njeriut të dytë të Kremlinit në Serbi është ngritur në nivelin më të lartë, dhe po spekulohet se ministri i mbrojtjes i Rusisë nuk ka ardhur me duar të thata – do të sjellë kontingjentin e parë (nga gjithsej 12) të sistemeve kundër ajrore bashkëkohore ruse “Pancir”. Serbia ka blerë nga Rusia edhe helikopterë MI-17 dhe tanke MI-35 si dhe aeroplanë MIG-29, dhe se me këtë, siç lavdërohen në Beograd, do të jenë shteti më i armatosur në rajon, gjë që është delikate duke marrë parasysh se Serbia është e rrethuar me anëtaret e NATO-s, dhe po zgjasin polemika shumë të ashpra në Bosnje dhe Hercegovinë rreth hyrjes së këtij vendi në Aleancë”, shkruan gazeta kroate.

Gazeta kroate shton se është interesant se është paralajmëruar edhe ardhja e ministrit të jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov, pikërisht në 21 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë./Insajderi.com.