33 laboratorë privatë pritet të fillojnë testimet për Coronavirus nga java e ardhshme

33 laboratorë privatë pritet të fillojnë testimet për Coronavirus nga java e ardhshme

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në konferencën e sotme të mbajtur lidhur me situatën me pandeminë Covid-19 përgjatë 24 orëve të fundit, ka bërë të ditur se nga java e ardhshme pritet të nisin punën 33 laboratorët privat të cilat janë licencuar për të kryer testet për COVID-19.

“Kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore, për licencim të shërbimit të testimit për COVID-19. Deri tash, bordi jonë i licencimit ka shqyrtuar 37 aplikacione, prej të cilave 33 i kanë plotësuar kushtet dhe mund të fillojnë me testime që nga java e ardhshme….Prej tyre 31 janë institucione që ofrojnë testime serologjike, laborator biokimik, hematologjik dhe ambulanca alergologjike me imonologji klinike dhe dy janë laborator të mikrobiologjisë molekulare klinike që do të ofrojnë testime molekulare me të cilat jeni të njoftuar pra RT-PCR”, bëri të ditur Zemaj.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, tha se që nga kjo javë të gjithë personat që vijnë pranë klinikave si të dyshuar me koronavirus, do të trajtohen në ambulancat specialistike të cilat janë shndërruar në atë të COVID-it

“Në total kemi 623 pacientë të spitalizuar, prej tyre 270 i kemi në klinikat e QKUK-së dhe 353 në spitalet regjionale. Gjendja e tyre shëndetësore është jashtëzakonisht e rënduar. Kemi 409 pacientë në total që janë në oksigjeno-terapi dhe 45 të tjerë që i kemi në respiratorë. Nga këta 45, 12 i kemi të intubuar. Ne nga dje kemi hapur laurat e QKUK-së për të gjithë familjarët, pacientët që janë në klinikat e QKUK-së. Tani do të hyjnë pa pagesë. Por u kisha bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë hapësirat e QKUK-së, vetëm atëherë kur kanë nevojë. Të reduktojnë në masë të madhe lëvizjet, që të mos shkaktohet tollovi në hapësirat e QKUK-së”, ka theksuar ai.

Nga java e ardhshme ai ka bërë të ditur që do të lëshohet në qarkullim rezervuari prej 20 mijë litrave në hapësirat e QKUK-së, ndërsa rezervuari prej 10 mijë litrave do të transferohet në atë Prizrenit. Krasniqi tha se do të largohet bombolat si vështirësi për furnizim me oksigjen. /Insajderi.com/