4 ministri me 11 zëvendësministra – veç dy flasin, ankohen se po punojnë pa pushim

Katër Ministri në Qeverinë Haradinaj kanë gjithsej 11 zëvendësministra. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i ka dy sosh, ajo e Arsimit i ka pesë zëvendësministra, kurse ajo e Diasporës i ka katër zëvendësministra. Ndër kritikat më të mëdha që i është bërë kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qenë numri i lartë i zëvendësministrave.

4 ministri me 11 zëvendësministra – veç dy flasin, ankohen se po punojnë pa pushim

Në njërën nga mbledhjet e Qeverisë, vetë kryeministri Haradinaj kishte kërkuar nga ministrat që t’u gjejnë punë zëvendësministrave.

“Një lutje e kam për ministrat – që të koordinoheni me ta më shumë për punët javore”, kishte thënë Haradinaj.

Mbase e pranon se numri i zëvendësministrave është shumë i lartë, megjithatë ka thënë se arsyetimi i tyre bëhet duke u nxjerrë sa më shumë punë.

“Edhe pse është një numër i tillë çfarë është e që është 74, arsyeshmëria mund të argumentohet nëse atyre iu nxjerrim punë. Iu kisha lut jepuni punë”, u kishte thënë Haradinaj ministrave.

Por cila është puna e zakonshme që e bëjnë zëvendësministrat?

Edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj kishte thënë se një pjesë e zëvendësministrave kishin treguar seriozitet në punën e tyre, këtë nuk e kanë bërë edhe në raport me interesimin e Gazetës Insajderi.

Gazeta ka kërkuar prej zëvendësministrave të katër ministrive që ta sqarojnë punën që e bëjnë zakonisht në këto pozita.

Deri më tani, të vetmit zëvendësministra që janë përgjigjur janë ata të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Vesel Krasniqi dhe Shukri Maxhuni.

Vesel Krasniqi – ka thënë se në Ministrinë e Bujqësisë ka punë prej më të ndryshmëve, duke filluar nga legjislacioni.

“Si zakonisht në këtë Ministri ka punё shumё dhe prej mё tё ndryshmeve, duke filluar nga legjislacioni qё duhet tё merremi me dikasteret pёrkatёse plotësim-ndryshime etj, pastaj me takime tё ndryshme me shoqata tё fermerëve, takime me fermerët nё terren”, ka sqaruar ai për Insajderin.

Sipas tij, së paku dy ditë në javë dalin në vizitë fermerëve.

“Sё paku dy ditё nё javё dalim pёr vizitë te fermerёt e ndryshёm, pastaj takime me palё tё ndryshme, punё dhe takime me Qeverinё etj.”, ka shuar ai.

Ai ka thënë se nga nëntori i vitit të kaluar kur edhe janë emëruar në këto pozita, nuk kanë pushuar asnjë ditë nga aktivitetet.

“Nga nëntori i vitit tё kaluar deri mё tani s’kemi pushuar asnjë ditё nga aktivitetet dhe punёt e  ndryshme nё kёtё Ministri edhe pse dihet mirëfilli se zёvendёsministrat nuk kanё fuqi vendimmarrjeje”, ka shtuar ai.

Shukri Maxhuni – është zëvendësministri tjetër në Ministrinë e Bujqësisë. Ai ka thënë se punët në Ministri janë të ndara. Ka thënë se ai merret me çështje të blegtorisë dhe komunat.

Ai ka thënë ta ketë përpiluar një raport prej 30 faqesh, në të cilin i ka paraqitur të gjitha ngecjet dhe planet për të ardhmen. Këtë dokument thotë se shpejt do t’ia paraqesë edhe kryeministrit të vendit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) i ka pesë zëvendësministra. Ndonëse janë kontaktuar, asnjëri prej tyre nuk ka kthyer përgjigje për punën e tyre në këto pozita.

Zëvendësministrat në këtë Ministri janë Heset Sahiti, Arbër Geci, Azem Guri, Artan Berisha dhe Bajrush Sezairi.

Ngjashëm kanë vepruar edhe zëvendësministrat e Ministrisë së Diasporës. Ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Insajderit.

Në pozitën e zëvendësministrave në Ministrinë e Diasporës janë Faruk Nura, Çerim Bajrami, Arian Daci dhe Afrim Bekteshi./Insajderi.com