4 raste të dhunës në familje, brenda dy ditëve në Kosovë

4 raste të dhunës në familje, brenda dy ditëve në Kosovë

Raportimet për dhunë në familje çdo ditë e më shumë po rriten në numër, këtë e dëshmon edhe Policia e Kosovës e cila përmes njoftimeve ditore bën të ditur raste të ndryshme të arrestimeve.

Rastet më të shumta janë ato kur burrat i rrahin gratë, por edhe raste të tjera të mosmarrëveshjeve familjare. Vetëm në raportin e fundit nga Policia e Kosovës, janë shënuar katër raste të dhunës në familje.

Në Gjakovë është arrestuar një burrë pasi që e ka sulmuar fizikisht gruan e tij pas një mosmarrëveshje. Siç ka njoftuar policia, viktima pas tretmanit mjekësor, së bashku me dy fëmijët e saj është strehuar tek familjarët e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Tjetër rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Drenas, ku një burrë e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, Gruaja ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rast tjetër i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Fushë Kosovë, ku një person e ka sulmuar motrën e tij. Siç ka njoftuar policia, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast i dhunës familjare ka ndodhur në Dragash, ku është raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje janë konfrontuar fizikisht mes veti babai dhe i biri. Sipas policisë, motivi i incidentit ishte problemi i vazhdueshëm familjar rreth banimit në një shtëpi. Me vendim të prokurorit kujdestar rasti shkon në procedurë të rregullt./ Insajderi.com