fbpx

4 vjet burgim ndaj të dyshuarit për posedim dhe shitje të drogës

4 vjet burgim ndaj të dyshuarit për posedim dhe shitje të drogës

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot më 15 nëntor 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.G i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 1 lidhur me nenin 281 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar pranimit të fajësisë nga i pandehuri S.G për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 1 lidhur me nenin 281 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 të KPRK-së, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë (2.000) euro, ndërsa konform nenit 115 të KPPRK-së dhe nenit 273 paragrafi 5 të KPRK-së konfiskohet vetura e markës “Peugeot 307” si dhe telefoni i markës “Iphone 8” të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

I pandehuri S.G, akuzohet se në qershor të vitit 2018 në Ferizaj, gjatë një kontrolli nga ana e Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësiti për Hetimin e Trafikimit me narkotik – Gjilan në bashkëpunim me njësinë në Ferizaj, në shtëpinë të cilën e mbikëqyr i pandehuri, është gjetur substancë narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 30 kg, të cilën substancë i pandehuri e kishte poseduar në mënyrë të paautorizuar me qëllim shitje apo shpërndarje.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.