40 ditë paraburgim për serbin që kërkohet nga Zvicra për grabitje

40 ditë paraburgim për serbin që kërkohet nga Zvicra për grabitje

40 ditë paraburgim janë caktuar për Aleksandër Raduloviq, i cili kërkohet nga Zvicra për grabitjen e një banke, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në një komunikatë për media.

Raduloviq u arrestua para dy ditësh nga Policia e Kosovës, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Interpol.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.R., bazuar edhe në fletë arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Zvicrës dhe kërkesës për arrestimin dhe ekstradimin e të njëjtit, për shkak të veprës penale Grabitje e armatosur të një banke nga neni 140 te Kodit Penal te Zvicrës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.R., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 (katër dhjetë ditëve), në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 të KPPK-së”.

“Gjykata ka konstatuar se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ngase në bazë të të gjitha rrethanave prezente ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe për ketë Shteti Zviceran përmes INTERPOLIT ka parashtruar Flet arrest ndërkombëtar për arrestimin e A.R., kështu që nëse i njëjti do të gjendet në liri do të arratiset dhe në këtë mënyrë do të pamundësonte procedurën e ekstradimin nga shteti kërkues. Kundër këtij aktvendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”. /Insajderi.com